Një radio maqedonase ka fituar mbi 200.000 euro, ka vetëm një të punësuar nga VMRO-DPMNE-ja?!
23:36:12 2015-12-27
Maqedonia vazhdon të tronditet me skandalin e medieve. Partia opozitare maqedonase, LSDM thotë se mediat pro qeveritare të financuara nga VMRO-DPMNE-ja fitojnë mbi 1 milion euro para të shtetit.
Bëhet fjalë për portalet “Kurir” dhe “Republika” të cilët sipas të hyrave publike, këta dy portale kanë kaluar mbi 2 milion euro që është rekord në Maqedoni sa i përket mediumeve elektronike.
LSDM-ja e ka publikuar edhe skandalin e radhës, ku një radio maqedonase ka fituar më shumë se mbi 200.000 euro para nga shteti, skandali rritet pasi kjo radio ka vetëm një të punësuar maqedonas.
LSDM-ja pyet publikisht VMRO-DPMNE-në se si është e mundur që vetëm një i punësuar të fiton 242.000 euro. Ndryshe, fitimi i përgjithshëm i radios Maqedonia e Lirë nga viti 2012 deri në vitin 2014 kap shifrën marramendëse prej mbi 617.000 euro.
“Publiku e di se njëri nga pronarët e Radios Maqedonia e Lirë është firma NVSP ku pronar është Vladislav Stankovic që është kushëriri i parë i kryeministrit Gruevski dhe ish shefit të shërbimit sekret, Sasho Mijalkov.
Përmes projektit ‘E vërteta për Maqedoninë’, publiku e kuptoi se firma NVSP është themeluar nga agjencia për sigurim SGS e Mijalkovit, pas të cilës radio qëndron personalisht Mijalkov”, kanë sqaruar nga LSDM-ja.
Ndryshe, disa portale maqedonase, Kurir dhe Republika, të cilat në opinion dalin me politikë redaktuese pro qeveritare në mbështetje të VMRO-DPMNE-së, kanë arritur që të fitojnë miliona euro para nga buxheti i shtetit, ndërsa nga ana tjetër portalet shqiptare bëjnë luftë për ekzistencë dhe janë të diskriminuar në tërësi nga shteti.
Publikimi i këtyre dokumenteve se mediat maqedonase mbështeten nga shteti dhe me këtë diskriminohen portalet shqiptare ka shkaktuar reagime të ndryshme në opinion.
Portalet në gjuhën shqipe në Maqedoni kërkojnë hisen e tyre nga kulaçi shtetëror me qëllim që të rrisin kapacitetin e tyre me të punësuar dhe teknik dhe me këtë, t`iu afrojnë qytetarëve shqiptar informacione të shumëllojshme nga politika, arsimi, kultura, arti dhe shkenca.
Në mungesë të buxhetit, portalet shqiptare mezi kalojnë muajin, andaj ky keqpërdorim që është bërë nga portalet maqedonase duhet një ditë e më parë të ndërpritet dhe buxheti të ndahet proporcionalisht edhe për portalet në gjuhën shqipe.