Nga Akad. Miftar Tërshnjaku
Nuk po e shkruaj këtë shkrim si kundërshtar politik, por si intelektual, me brengën e ndërgjegjes kombëtare, duke e parë me shqetësim gjendjen në të cilën ndodhet Kosova?!
Sot, më shumë se kurrë, Kosovës i duhen institucione funksionale, përgjegjësi politike dhe një kompromis i arsyeshëm, pa kushtëzime. Kompromis mes dy partive për Presidentin?!
Populli nuk ka nevojë për një tjetër cikël konfliktesh politike, por për zgjidhje. Assesi për zgjedhje?!
Largojeni këtë mendim nga mendja?!
Vetëm një njeri mund ta mendojë rrugën nga zgjedhjet në zgjedhje, kur është i zhveshur plotësisht nga ndjenjat kombëtare.
Kur egoja i prin shpirtit të një njeriu, atëherë ai nuk sheh më përtej vetes?!
Sot, falë zgjedhjeve, kemi fituesin e zgjedhjeve dhe vullnetin e popullit.
Ky vullnet duhet të kurorëzohet me zgjidhjen e problemit.
Pse?! Sepse është përgjegjësi morale dhe kombëtare?!
Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë marrë një mbështetje të madhe nga qytetarët. Kjo është dhurata më e çmuar e popullit. Kjo duhet respektuar. Por një mandat i fortë elektoral nuk do të thotë se një parti mund të qeverisë pa bashkëpunuar me askënd, kur kushtet politike kërkojnë kompromis. Kur ligji kushtetues dhe Gjykata Kushtetuese kanë potencuar qartë dhe prerë se 80 deputetë duhet të jenë kuorum?!
Fort mirë:
Politika është arti i gjetjes së zgjidhjeve.
Nëse për zgjedhjen e Presidentit, formimin e institucioneve apo çështje të tjera madhore kërkohet bashkëpunim me partitë e tjera, partia fituese atëherë duhet të ulet në tryezë dhe të kërkojë një marrëveshje.
Albin, nuk ka vonesë?!
Kësaj here duhen bisedime pa kushtëzime — kompromis për Presidentin — dhe jo bisedime për një President të kushtëzuar nga ju?!
Nuk po ju fajësoj, sepse nga presionet e mëparshme, ndonjëherë njeriu nuk mund të gjykojë drejt?!
Bëni kompromis?!
Kompromisi nuk është tradhti.
Kompromisi nuk do të thotë dorëzim.
Kompromisi politik, kur bëhet brenda Kushtetutës dhe në interes të shtetit, është pjesë e demokracisë. Është kënaqësi shpirtërore?!
Prandaj, pyetja që duhet t’i bëjmë sot kryeministrit dhe të gjithë liderëve politikë është e thjeshtë:
A po mendoni për Kosovën dhe qytetarët, apo po mendoni vetëm për zgjedhjet e ardhshme?!
Kësaj here, harroni zgjedhjet?!
Stop egove tuaja personale?!
Populli po ju thërret?!
Sepse Kosova nuk mund të mbahet peng nga llogaritjet elektorale. As nga kalkulimet partiake fitimprurëse?!
Ligjet kombëtare ju ndalojnë?!
Ndërgjegjja morale ju çvlerëson!
Zgjohuni, merrni veten?!
Të rinjtë tanë kanë nevojë për vende pune dhe perspektivë. Familjet kanë nevojë për siguri ekonomike. Mërgata ka nevojë për një shtet funksional. Bizneset kanë nevojë për stabilitet. Institucionet kanë nevojë për legjitimitet dhe përgjegjësi.
Dhe, mbi të gjitha, qytetari ka nevojë të shohë se politikanët e tij janë të gatshëm të bëjnë edhe një hap prapa nga egoja personale, në mënyrë që shteti të bëjë një hap përpara. Shtet funksional!
Nuk është e rëndësishme kush del fitues në një përplasje politike.
E rëndësishme është që Kosova të mos dalë humbëse.
Nëse ka mundësi për marrëveshje ndërmjet forcave politike për funksionalizimin e institucioneve dhe për zgjedhjen e Presidentit — ku, me plot përgjegjësi morale, e them se ka mundësi — atëherë ajo mundësi duhet të shfrytëzohet që tani, me seriozitet.
Askush nuk duhet të ketë frikë nga fjala bashkëpunim.
Një lider i madh nuk matet vetëm me numrin e votave që merr. Ai matet edhe me aftësinë për të gjetur zgjidhje kur vendi ndodhet në krizë.
Prandaj, Albin Kurti, si kryeministër dhe si lider i forcës më të madhe politike, duhet të tregojë se është mbi interesin e ngushtë partiak. Duhet të tregojë se është gjithmonë në shërbim të kombit shqiptar?!
Mos e çoni Kosovën në zgjedhje vetëm sepse nuk mund të gjeni marrëveshje. Kërkoni marrëveshje para zgjedhjeve.
Uluni me LDK-në, PDK-në, AAK-në dhe të gjitha forcat politike që kanë vullnet për ta zgjidhur krizën institucionale, por pa kushtëzime politike?!
Bëni kompromis aty ku Kushtetuta e lejon. Kompromis për Presidentin dhe jo për një President të kushtëzuar?!
Mbroni interesin e shtetit. Ky interes është mbi egon e çdonjërit dhe mbi çdo parti.
Mendoni për qytetarin.
Mendoni për rininë.
Mendoni për ata që po largohen nga Kosova, sepse nuk shohin perspektivë.
Mendoni për familjet që mezi përballojnë jetën.
Mendoni për ata që ju kanë dhënë votën.
Vota është besim, jo pronë personale.
Dhe pushteti është përgjegjësi, jo privilegj.
Kosova nuk ka nevojë vetëm për politikanë që e fitojnë çdo betejë politike; ajo, më shumë se kaq, ka nevojë për liderë që dinë ta fitojnë paqen politike, stabilitetin institucional dhe të ardhmen e qytetarëve.
Prandaj, para se të mendoni për zgjedhjet e ardhshme, mendoni për Kosovën e së nesërmes. Kosovën ku, me gjak e sakrificë, e fituam shtetin?!
Sepse zgjedhjet mund të përsëriten në pafundësi, ndërsa koha e humbur e qytetarëve nuk kthehet më.
Akad. Miftar Tërshnjaku
11.09.2026
Vjenë.

