04:41:32 2016-12-19
Komuna e Gerlafingenit në Solothurn të Zvicrës është një oazë e vërtetë e dëborës. Në vend të gjelbërimit sikurse në komunat fqinje, këtu janë krijuar shtigje të rrëshqitjes dhe dordolecë. Shkëlqimi i bardhë është paraqitur nga dëbora industriale.
Shumica e zviceranëve janë të brengosur që edhe gjatë këtij viti nuk do të ketë festa fetare të bardha. Sipas parashikimit të motit, për natën e së hënës janë paraparë disa fjolla dëbore, por një gjë e tillë është lokale dhe me kohezgjatje të shkurtër.
Një përjashtim të madh bën Komuna e Gerlafingenit, e cila gjendet në një lartësi mbidetare prej vetëm 450 metrash dhe ka diku rreth 5 mijë banorë. Në krahasim me komunat fqinje, tashmë dy javë në këtë komunë është paraqitur dëbora! Që në hyrje të komunës mund të vërehen fusha të mbuluara me dëborë.
Në qendër të fshatit, dëbora mjafton sa për të ndërtuar një dorodolec të madh zbukurues: „Kjo funksionon vetëm tek ne në Gerlafingen“, pohojnë me gëzim të madh fëmijët shqiptarë Nora (12), Viola (10) dhe Besiana (12).
Një oazë e dëborës në mes të fushave të gjelbra, si është e mundur një gjë e tillë, parashtron pyetjen „Blick“, përcjellë „Shtegu.com“? Nicola Möckli nga „Meteonews“ habitet nga peisazhi mahnitës: „Më ka lënë përshtypje, vërtetë po duket sikur në dimër“, pohon ai. Bëhet fjalë për një fenomen të krijuar nga njerëzit: „Këtu bëhet fjalë për dëbprë industriale“. Për tu realizuar kjo, duhet të përmbushen disa kushte: Temperatura të ulëta, një shtresë e mjegullës në lartësi të duhur dhe një oxhak industrial me tym. Grimcat e blozës së krijuar nga oxhaku shërbejnë si bërthama kondensimi dhe në këtë mënyrë përkujdesen për rreshje të dëborës.
Banori i Gerlafingenit, Klaus Lengauer (78) rrëfen me buzëqeshje: „Para disa ditësh isha në Adelboden, ku praktikisht nuk ka aspak dëborë! Atje u thashë se duhet të vijnë në Gerlafingen po të duan një dimër të vërtetë“. Për lëtë pensionist zviceranë është e qartë se përgjegjës për dëborën industriale është fabrika e shkrirjes së çelikut në afërsi.
Dëbora industriale dallohet nga dëbora e vërtetë, pasi është e yndrshme dhe me madhësi më të vogël, që mund të paraqesë probleme të mëdha në komunikacionin rrugor. Por, kjo nuk i mërzitë shumë Norën, Violën dhe Besianën. Ato vazhdojnë të shijojnë kënaqësinë e dimrit të vërtetë.

