Zvicra pa pardon për vozitësit e egër, dëbohet maqedonasi
Gjykata federale zvicerane e ka konfirmuar dëbimin e një shtetasi maqedonas 32-vjeçar nga Kantoni i Aargaut në Zvicër. Kopshtari ndihmës nuk ka kryer ndonjë krim të rëndë, por ka shkaktuar delikte të shumta në komunikacion dhe është zhytur në borxhe.
Po që se një i huaj dënohet me së paku një vit, zakonisht ai dëbohet nga Zvicra. Rregulloren e tillë të Entit zviceran të migrimit, kohëve të fundit e ka konfirmuar rregullisht edhe Gjykata federale zvicerane, shkruan „Aargauer Zeitung“, njofton „Shtegu.com“.
Një shembull i freskët është edhe vendimi i Gjykatës federale zvicerane, e cila e ka konfirmuar vendimin e autoriteteve përkatës zvicerane për të dëbuar një shtetas maqedonas 32-vjeçar nga Kantoni i Aargaut, duke refuzuar ankesën e tij.
Nga muaji mars 2004 e deri në maj të vitit 2011, për shkak të dhjetë delikteve në komunikacion si dhe detyrimeve të borxheve, ishte dënuar me një muaj burg dhe dënime në të holla. Së paku katër herë kishte vozitur në gjendje të dehur apo i paaftë për të vozitur. Me vozitjen në gjendje të dehur, ai i kishte vënë në rrezik jetët e të tjerëve, kishte konstatuar Gjykata federale. Përpos kësaj, ndaj shtetit ai ka pasur borxh rreth 200 mijë franga zvicerane dhe certifikata të humbjes prej rreth 167.000 franga.
Deri në moshën 15-vjeçare, ai kishte jetuar në Maqedoni, ndërsa më tepër se 15 vite është duke jetuar së bashku me familjen e tij në Zvicër. Për një integrim të suksesshëm të tij, as që mund të bëhet fjalë, ndërsa ai as që ka ndonjë profesion të kryer. Që nga muaji qershor i vitit të kaluar, ai është punësuar si ndihmës kopshtar, por paraprakisht i kishte shfrytëzuar disa periudha të papunësisë.
Nga ana tjetër, ai asnjëherë nuk i kishte ndërprerë kontaktet me vendlindjen e tij. Bile, në vitin 2012 ai ishte martuar me një vajzë nga Maqedonia, e cila me një fëmijë dyvjeçar, aktualisht jeton atje.