EDHE OPOJA FRYMON SHQIP
Ka vende ku natyra dhe tradita ecin dorë për dore, ku kënga jehon më bukur mes maleve dhe ku mikpritja shqiptare ruhet si amanet brezash. Një ndër këto vende është Opoja, e cila edhe këtë verë dëshmoi se di ta nderojë trashëgiminë e saj kulturore dhe shpirtërore. Festa e Bjeshkëve nuk ishte vetëm një tubim i zakonshëm, por një ditë bashkimi, krenarie dhe dashurie për vendlindjen.
Sot, në zemër të Bjeshkëve të Sharrit, aty ku natyra flet me gjuhën e lashtësisë dhe ku çdo gur ruan kujtesën e brezave, u mbajt Hahengu kushtuar Festës së Bjeshkëve, një manifestim i organizuar me përkushtim nga banorët e fshatit Zaplluzhë, ndër ta edhe prof. Flarim Veliu.
Në vendin e njohur, te Guri i Zi, u mblodhën opojarë e mysafirë të shumtë për të shijuar bukuritë e bjeshkëve dhe për të festuar traditën shqiptare me këngë, valle e poezi. Atmosfera ishte e mbushur me gëzim, krenari dhe dashuri për kulturën tonë kombëtare.
Një hijeshi të veçantë i dhanë valltarët e burrave. Me dinjitet dhe mjeshtëri interpretuan Mirsadi dhe Gëzimi nga fshati Zaplluzhë, si dhe grupi i valltarëve nga fshati Kosavë, i udhëhequr nga Refki Kolloni, prijës i valles, duke zgjuar duartrokitjet përplotë emocione nga të pranishmit.
Në këtë tubim morën pjesë edhe shumë personalitete të jetës shkencore e kulturore: prof. Deston Fetahu, Dr. Muharrem Qafleshi, prof. Dr. Meleq Batjari, Dr. Bujar Berisha, Akad. Amb. Miftar Tërshnjaku, prof. Flarim Veliu, si dhe veteranët e arsimit dhe gazetarët Fahri Musliu e Adil Beçaj, bashkë me kryetarin e komunës, Dr. Bexher Xheladini, të cilët, me praninë e tyre, i dhanë edhe më shumë peshë kësaj feste tradicionale.
Nder të veçantë i dha manifestimit edhe zonja Xhenet, përfaqësuese e kulturës etnoshqiptare nga Amerika, e cila, me dashurinë dhe përkushtimin e saj për trashëgiminë kombëtare, dëshmoi se shqiptaria jeton e frymon kudo ku jetojnë shqiptarët.
Në përfundim të kësaj dite të paharruar, organizatorët nga fshati Zaplluzhë shtruan sofrën tradicionale opojare. Të pranishmit u gostitën me flinë tradicionale, ushqime blegtorale, ujë të freskët malor dhe shalqi, duke e mbyllur festën me mikpritjen që gjithmonë e ka dalluar Opojën.
Kjo ishte një ditë që dëshmoi se tradita nuk shuhet, por trashëgohet me krenari; se Bjeshkët e Sharrit nuk janë vetëm një mrekulli natyrore, por edhe një vatër ku ruhen zakonet, kultura dhe shpirti shqiptar.
Urime organizatorëve dhe të gjithë pjesëmarrësve për këtë festë të bukur, që e bëri Opojën të frymojë edhe një herë shqip, në zemër të Bjeshkëve të Sharrit.
Akad. Amb. Miftar Tërshnjaku





