Zvicër, motrat shqiptare nga Maqedonia mbledhin ndihma për refugjatët sirianë

53 Lexime

Shteti zviceran fillimisht ka pranuar 500 refugjatë nga Siria për të vazhduar edhe më tej rritjen e numrit për pranimin e mëtejshëm të tyre.

Ndërsa kantoni i St.Gallen, në bashkëpunim me UNHCR-në kanë filluar me një numër simbolik prej 50 azilkërkuesve sirianë.

Në vazhdën e kësaj situate ardhja e një numri më të madh të tyre në Zvicër dhe vendosja nëpër kantone të ndryshme, ka bërë që shumë shoqata bamirëse të inkuadrohen në dhënien e kontributit të tyre në vazhdimësi.

Qendra strehimore “Marienberg” që gjendet në qytezën Rheineck momentalisht ka rreth 160 azilkërkues, të cilët gjatë ditës festive të Kurban Bajramit janë mbledhur për të festuar së bashku me një grup shqiptarësh, që vullnetarisht kanë sjellë dhurata të ndryshme për ta.

Organizatorët, motrat Lejla dhe Nexhla Medi, me prejardhje shqiptare nga Maqedonia, u kanë mundësuar fëmijëve sirianë që të marrin dhurata të ndryshme gjatë kremtimit të festës së Kurban Bajramit.

E veçanta e kësaj është se motrat Medi përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, kanë njoftuar shoqërinë e tyre që t`iu bashkangjiten iniciativës për mbledhjen e të hollave në ndihmë për azilkërkuesit.

Grupi vullnetar i shqiptarëve mendon për të ardhmen të sjellë në dritë një qendër humanitare edhe më të gjerë, në organizime të tjera bamirësie për njerëzit në nevojë, e jo vetëm për sirianët. (Bota Sot)