Tre persona të plagosur në Belp, dy prej tyre në gjendje të rëndë

66 Lexime

12:57:53                  2019-05-12

 

 

Të shtunën në mbrëmje, në Belp të Bernës është shkaktuar një zënkë masive me ç`rast janë plagosur tre persona, dy prej të cilëve rëndë. Gjithsej 34 persona janë ndaluar. Hetimet për rrjedhën e ngjarjes janë duke u zhvilluar, në këtë kontekst, policia zvicerane është në kërkim të dëshmitarëve.

Në orën 18.00, policia ishte alarmuar se disa persona ishin plagosur gjatë një zënke në Belp. „Për opinion nuk ka rrezik“, ka shkruar policia të shtunën në mbrëmje nëpërmjet shërbimit të mesazheve Twitter.

Sipas të dhënave të fundit thuhet se janë përleshur anëtarët e disa klubeve të motoçiklistëve. Me këtë rast, ka pasur edhe të shtëna armësh.

Gjatë zënkës, dy persona janë plagosur rëndë. Për momentin ata janë në spital, njëri prej tyre me plagë nga arma e zjarrit, ndërsa tjetri me plagë thike. Një person i tretë, gjithashtu gjendet në spital, por me plagë më të lehta.

Gjithsej janë ndaluar 34 persona, duke përfshirë edhe tre të plagosurit, informon Shtegu.com. Në Belp, janë ndaluar gjithsej 19 persona, 18 burra dhe një grua, të cilët u morën për bisedë informative në stacionin policor. Dymbëdhjetë persona të tjerë u ndaluan në vende të tjera në kantonin e Bernës gjatë operacionit policor dhe u dërguan në një stacion policor për sqarime të mëtejshme.

Për të sqaruar rrethanat, Policia Kantonale e Bernës është në kërkim të dëshmitarëve.