Çfarë ka ndodhur: Disa të plagosur në Belp të Bernës

51 Lexime

11:34:45           2019-05-12

 

 

Në Belp të Bernës, të shtunën në mbrëmje është realizuar një operacion i madh policor. Forcat e policisë kanë rrethuar motelin Belp në rrugën „Steinbachstrasse“.

Në orën 18.45 të së shtunës, para motelit Belp në rrugën „Steinbachstrasse 92“, në mes të Belpit dhe Kehrsatz, kanë qëndruar disa vetura policore dhe një ambulancë. Një tjetër veturë policore me sinjal të ndezur arriti në vendngjarje me të shpejtë, shkruan „Berner Zeitung“, përcjell Shtegu.com. Para motelit ka qëndruar një polic me armë në gjendje gatishmërie, ndërsa forcat e tjera policore kanë pasur armë automatike.

Policia Kantonale e Bernës konfirmoi mobilizimin në Belp. Në orën 18.00, policia ishte alarmuar se disa persona ishin plagosur gjatë një zënke në Belp. „Për opinion nuk ka rrezik“, ka shkruar policia të shtunën në mbrëmje nëpërmjet shërbimit të mesazheve Twitter.

Philipp Kapas, menaxhues i motelit Belp, të dielën në mëngjes theksoi se moteli nuk ishte prekur drejtpërdrejt: „Këto incidente nuk kanë të bëjnë fare me ne“.
Zënka kishte ndodhur në hapësirat përreth motelit. Në bodrum është një depo, e cila i ishte dhënë me qira një personi, informon Shtegu.com. Aty ka ndodhur mosmarrëveshja.

Mbeten të paqarta arsyet, pjesëmarrësit dhe pasojat e zënkës. Policia është e pranishme edhe mëngjesin e së dielës në vendngjarje.