Tifozi shqiptar: Serbët më ofruan 50 mijë euro për trazira në ndeshje
Tifozi i Kombëtares shqiptare, Uliks Ademi, që jeton në Itali, ishte bërë i njohur kur kishte hyrë në fushë gjatë ndeshjes Itali – Shqipëri, në nëntor të vitit të kaluar dhe kishte marrë autograf të Lorik Canës.
Ai të dielën për gazetën tiranase „Panorama Sport“, ka theksuar se një grupim i tifozëve serbë në Itali i ka ofruar 50 mijë euro që të shkaktojë trazira në “Elbasan Arena” gjatë ndeshjes mes Shqipërisë e Serbisë. Ademi ka thënë se është i gatshëm të dëshmojë këtë, ndërsa është ankuar që nuk ka ende biletë për ndeshjen.
„Disa përfaqësues të një grupimi tifozësh serbë në Itali më kanë ofruar një shumë prej 50 mijë eurosh duke më kërkuar që të shkaktoj trazira në “Elbasan Arena”. Organet kompetente mund të verifikojnë telefonatat e mia. Ata më kanë marrë në telefon duke më kërkuar një gjë të tillë.
Madje më kanë ‚dhuruar‘ një flamur serb. Janë përpjekur të më joshin në një farë mënyre“, ka thënë tifozi Uliks Ademi për gazetën tiranase. „Sigurisht që kam refuzuar në mënyrë kategorike. Si mund të konceptohet që një tifoz i zjarrtë i kuqezinjve të çojë nëpër mend të dëmtojë kombëtaren. Por provokimet e serbëve të tilla janë. Unë refuzova të shisja flamurin e Kombëtares të firmosur nga Lorik Cana për 10 mijë euro, e si mund të sulmoj ekipin tonë përfaqësues në një ndeshje kaq vendimtare. Ishte një telefonatë e neveritshme dhe një skenar që vetëm nga imagjinata e shfrenuar serbe mund të vijë“, ka thënë Ademi.