Kryeministri Zoran Zaev për sot ka thënë se deri në Kuvend do të dërgojë propozimin për ministra të rinj. Ndërsa në fillim të javës tjetër pritet të votohet kabineti qeveritar me disa ministra të rinj. Kryeministri Zaev ka bërë të ditur se do të ndërrohen 8 ministra, dhe mbi 20 drejtorë, por deri tani nuk ka emra zyrtarë, përveç spekulimeve në disa media.
“Siç ju informuam gjatë fundit të kësaj jave kryeministri Zaev në Kuvend ta dërgojë propozimin për ndryshime në kabinetin qeveritar. Deri në momentin e dorëzimit të propozimeve nuk mund të themi cilët zëvendës kryeministra do të ndryshojnë, sepse kryeministri është në bisedime me partitë e tjera politike që janë pjesë e koalicionit”, theksoi zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha. Në LSDM do të ketë ndërrime të ministrave të Bujqësisë, Transportit dhe Lidhjeve si dhe një ministër pa resor. Ndërsa nga BDI, Naser Nuredini do të emërohet ministër i Ekologjisë, Sadulla Duraku do të shkojë në ministrinë e re për Sistem Politik. “Alternativa” do të ketë ministrinë e Kulturës, por ende nuk ka bërë publik emrin, derisa Ministria e Pushtetit Lokal që udhëhiqet nga RDK spekulohet se do ti takojë LSDM ose partnerit të saj koalicionues Partia Liberal – Demokrate. (INA)