“Smajl”, dokumentari për emigrantin shqiptar që shkoi në Gjermani për një magnetofon (VIDEO)
Philipp Majer është regjisori i këtij filmi dokumentar e që është punuar në bashkëpunim me Zymryte Hoxhaj. Familja e Zymryte Hoxhaj është boshti i këtij dokumentari që ngërthen jetën e emigrantëve shqiptarë në Gjermani, si dhe peripecitë drejt integrimit të familjeve shqiptare në kulturën gjermane. Ajo ka thënë për KultPlus se premiera e këtij dokumentari do të jepet fillimisht në Gjermani dhe në vitin tjetër do të prezantohet edhe në Kosovë
Sarandë Selimi
“Smajl”, është filmi dokumentari që tregon historinë e familjes Hoxhaj, një familje e cila qysh në vitet e 70-ta migroi në Gjermani, ku personazhi kryesor i këtij dokumentari është Ismajl Hoxhaj i cili kishte shkuar në Gjermani për të blerë një magnetofon, por që rrethanat e asaj kohe e detyruan në njëfarë mënyre të qëndroj e ta marrë gjithë familjen. Ky film dokumentar ka për regjisor, Philipp Majer i cili është një shok i ngushtë i familjes Hoxhaj dhe në bashkëpunim me vajzën e personazhit kryesor, që është Zymryte Hoxhaj ranë dakord që ta bëjnë këtë film dokumentar. Në një rrëfim për KultPlus, vetë Zymryte Hoxhaj tregoi për gjithë këtë dokumentar i cili është xhiruar në Kosovë.
“Në këtë film dokumentarë bëhet fjalë për jetën dhe veprën e babit tim, i posa ardhur në Gjermani, shtet i cili atëherë ishte në rizhvillim dhe kishte shumë emigrantë nga Ballkani dhe u përball me shumë vështirësi”, ka thënë Hoxhaj për KultPlus, e cila ka shpjeguar më pas se në këtë dokumentar janë përfshirë edhe zhvillimet politike me të cilat janë përballë shqiptarët në atë kohë, si dhe lëvizjet dhe aktivitetet e diasporës.
“Pastaj aty është përfshirë edhe përditshmëria jonë si fëmijë, ku jemi rritur në një ambient të huaj dhe adaptimi me jetën në Gjermani, duke pas parasysh se vinim nga një kulturë krejt tjetër”, ka thënë Zymryte Hoxhaj. Sipas saj, po në këtë dokumentar është edhe pjesa tjetër, ku prindërit kthehen përgjithmonë në Kosovë duke i lënë fëmijët të jetojnë në Gjermani, ku edhe kanë ndërtuar karrierën dhe jetën e tyre.
Ky dokumentar nuk përmban vetëm një temë por prekë shumë tema, dhe tregohet një jetë klasike e një emigranti kosovar, e ky dokumentar sipas autores, Zymryte Hoxhaj mund të shihet si një simbol për shumë familje që në atë kohë kanë shkuar në Gjermani. “I vetmi fakt që e dallon historinë e babait tim nga të tjerët është se ai ka ardhur për një magnetofon”, theksoi ajo.
Për Zymryten është hera e parë që realizon një film dokumentar dhe siç tha ajo do të jetë e fundit, pasi që, ajo është dizajnere dhe punon në tjetër mënyrë në projekte filmike, jo si realizuese apo autore.
Sipas autores, Hoxhaj ky dokumentar ende nuk e ka datën e saktë se kur do të shfaqet, por padyshim që premiera e tij do të jepet ne Saarbrücken ne Gjermani, pasi që është financuar nga Instituti i Medieve të këtij vendi. E premtimin që e bëri Zymryte Hoxhaj është se do ta dërgojë nëpër festivale të ndryshme, ndërsa në Kosovë do ta sjell vitin e ardhshëm./KultPlus.com
http://www.smajl-film.de/