Shtetasi maqedonas shkakton aksident në Gjermani, lëndohen rëndë tre persona
17:20:22 2016-12-18
Mëngjesin e së dielës rreth orës 06.00, në pjesën e autostradës gjermane L 536 në afërsi të Ladenburgut, është shkaktuar një aksident komunikacioni në të cilin kanë qenë të përfshirë tre automjete. Me këtë rast janë lënduar rëndë tre persona.
Një turist 26-vjeçar nga Maqedonia, me furgonin e vet të kaltër ka qenë duke vozitur në autostradën L 536 në drejtim të autostradës A 5, destinacioni për Ladenburg. Për shkaqe ende të panjohura, ai ka dalë në anën e kundërt të komunikacionit, duke goditur një veturë „VW Passat“ që po vinte nga ana e kundërt, e drejtuar nga një banore 27-vjeçare e Mannheimit. Gjatë kësaj, Passati ka goditur barrierën metalike mbrojtëse, ndërsa furgoni është rrokullisur duke goditur një veturë të llojit „Citroen“.
Që të tre automjetet kanë qenë me vetëm nga një person përbrenda, thuhet në një komunikatë të policisë gjermane, njofton „Shtegu.com“. Tre të lënduarit janë dërguar në spitalin më të afërt. Për shkak të këtij aksidenti, autostrada L 536 ka qenë e mbyllur deri rreth orës 11.30, ndërsa në ndihmë të të lënduarve ka ardhur njësia vullnetare e zjarrfikësve nga Ladenburgu. Policia gjermane është në kërkim të dëshmitarëve të aksidentit, për të ndriçuar rastin deri në fund.