LAJME

Shkupjani që po mahnit botën me silueta

52 Lexime

Nuk ka vizitor që kalon nëpër Poreç të Kroacisë e të mos e takojë piktorin e palodhur, tashmë të njohur ndërkombëtarisht, Fevzi Memetin. Është nga një familje e Shkupit, i cili si shumica e bashkatdhetarëve tanë, edhe ai mori rrugën e mërgimit në vitin 1986, për një ardhmëri më të mirë, në mungesë të perspektivës në vendlindje. Përpos të gjitha katrahurave të cilat i imponon mërgimi, ai arriti të vendoset në Umag të Kroacisë, duke u punësuar fillimisht në një fabrikë vere,e mandej në fabrikë të bukës.
Nga viti 1990, Fevziu 53-vjeçar, filloi të meret me pikturimin e siluetave, të cilat i kanë mahnitur shumë e shumë turistë të huaj botërorë. Talentin e tij nga shkolla fillore, ai tashmë e kishte përsosur dhe gjithnjë e më shumë po ecte drejt afirmimit të tij në fushën e krijimtarisë arstistike. Në vitin 1993, ai filloi të meret profesionalisht me pikturimin e siluetave. Për një kohë të shkurtër, u vendos edhe në Belgjikë duke vazhduar profesionin, mirëpo për shkak të lidhjeve familjare, detyrohet të kthehet përsëri në Kroaci, më saktësisht në Poreç.
„Nga viti 2008 jetoj në Poreç dhe tash e pesë vite kam firmën time. Këtu jetohet mirë dhe ka përfitim të majmë“, deklarton për „Shtegu.com“ Fevziu. Në pyetjen nëse pranë tij kanë tejkaluar personalitete të njohur, ai vazhdon: „Ka shumë VIP-a të cilëve u kam bërë silueta, të përmendi vetëm teniseren numër një në botë Serena Williams, aktorin e njohur Van Daam, ish kryetarin kroat Stipe Mesiç, futbollistin e njohur Ivica Oliç, këngëtarët e famshëm siç janë Zhejko Bebek, Vllado Kalember e shumë e shumë të tjerë të cilët nuk po më kujtohen për momentin, por të cilët kanë mbetur të mahnitur nga puna ime. Një punim kushton 50 kuna, që dmth 7 euro, ndërsa ka pasur raste kur më kanë paguar edhe njëqind euro, të habitur nga puna ime“.
Për fund, Fevziu nuk mund të mos i përmend edhe vuajtjet të cilat e kishin përcjellur deri në adaptimin e tij të përhershëm në Kroaci: „Këto të mira nuk i gjeta të servuara në pjatë, kam vuajtur shumë sa që ka pasur raste që kam fjetur edhe nëpër shatora. Nga viti 1994-1995, bile edhe kam marrë pjesë në luftën e Kroacisë, në Otoçac, afër Gospiçit. Tashmë e kam edhe meritën `luftëtar kroat i luftës atdhetare` (kroatisht: Hrvatski branitelj domovinskog rata)“, përfundon Fevzi Memeti nga Shkupi.