SHBA thërret VMRO-DPMNE-në të mos e pengojë Katica Janevën
SHBA-të e kanë kritikuar publikisht qëndrimin negativ të partisë së Nikola Gruevskit ndaj prokurores speciale Katica Janeva, ndërkohë që kanë deklaruar se dorëheqja e tij nga posti i kryeministrit është ngjarje e mirë për gjasat që vendit të dalë nga kriza aktuale.
Kate Burnes, zëvendës-ambasadore e SHBA-ve në Këshillin Permanent të OSBE-së në Vjenë ka bërë thirrje ndaj VMRO-DPMNE-së që publikisht të përkrahë punën e prokurores speciale Katica Janeva, në të gjitha fazat e punës së saj, njofton Zhurnal.
Ajo sot ka pasur një paraqitje publike lidhur me krizën politike në Maqedoni dhe përpjejet për t’i dhënë fund krizës një vjeçare dhe ka kritikuar partinë e Nikolla Gruevskit pse nuk është duke e përkrahur punën e prokurores Janeva, ndërkohë që ka mirëpritur dorëheqjen e Nikolla Gruevskit nga posti i kryeministrit, si pjesë e Marrëveshjes së Przhinos për formimin e qeverisë teknike të përkohshme.
“SHBA përshëndet përpjekjet aktuale për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos që është rruga më e mirë për Maqedoninë për daljen nga kriza. Ne gjithashtu e përshëndetëm edhe dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski si një nga themelet për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos“, ka shtuar më tej ambasadorja Burns.
“Deklaratat nga ana e një partie politike, VMRO-DPMNE, dhe krerët e saj duke e sulmuar punën e Prokurores Speciale janë një shqetësim më shumë,” tha Burns.
“I ftojmë të gjitha partitë politike të cilat njëzëri janë pajtuar për emërimin e zonjës Janeva që të përkrahin publikisht Prokuroren Speciale në të gjitha etapat e punës së saj”, tha diplomatja amerikane.
Burns po ashtu i ka ftuar partitë politike që të “përkrahin publikisht dhe privatisht punën e Këshillit Shtetëror Zgjedhor (KShZ) në mënyrë që ai të ketë punonjës të mjaftueshëm, burime dhe qasje në informata që ka nevojë për të bërë punën e tij për të bërë analizën e detajuar të listës së votuesve”, ka potencuar Burns.
Diplomatja ka përkujtuar shqetësimet që qeveria amerikane ia ka transmetuar qeverisë së Maqedonisë për mungesë të përparimeve në rekomandimet e OSBE-së dhe zyrës ODIHR të vitit 2014, të cilat kanë të bëjnë me freskimin e listës së votuesve, reformës në media; ndarjen e shtetit dhe partisë dhe parandalimit të presionit ndaj votuesve.
Burns tha se SHBA dhe BE do të vlerësojnë përparimet lidhur me këto çështje para se të shuhet parlamenti me 24 Shkurt, për të përcaktuar nëse janë përmbushur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve me 24 Prill.
Ndërkohë ajo tha se disa pjesë të Marrëveshjes së Przhinos nuk janë përmbushur. Ajo me këtë rast përmendi punën e pakryer të komitetit mbikëqyrës parlamentar i cili duhet që të rekomandojë reforma për shërbimin e inteligjencës së vendit, reforma këto të cilat duhet që të sqarojnë llogaridhënien politike për të gjithë ata që do të jenë fajtor për aferën e përgjimeve.
Profesori universitar Sefer Tahiri vlerëson se qëndrimi i SHBA-ve në përkrahje të prokurores speciale dhe ftesa drejtuar VMRO-DPMNE janë të mirëseardhura dhe ndihmëtare për zbatimin e Marrëveshjes së Przhinos dhe kapërcimin e krizës në vend.
“Mendoj se ky është një sinjal shumë i qartë që i jepet partisë në pushtet që të mos pengojë punën e Prokurorisë Speciale, të mos bëjë obstruskione siç di t’i bëjë ky pushtet dhe mbi të gjitha është edhe sinjal se faktori ndërkombëtar është i pranishëm këtu me gjithë kapacitetin dhe interesimin e duhur“, tha profesori Tahiri në një prononcim për Zhurnal.mk .
Tahiri gjithashtu deklaron se këto deklarata janë garantuese e procesit politik për tejkalimin e krizës dhe zhbllokimin politik për të funksionuar si shtet normal dhe pa presion ndaj Katica Janevës.
“Por edhe është garantues i procesit politik dhe tejkalimit të krizës politike, ndërsa njëri ndër kushtet e zhbllokimit politik është funksionimi normal dhe pa presion politik i Prokurorisë Speciale. Kjo Prokurori duhet të funksionojë sipas komunitetit ndërkombëtar, qoftë edhe nëse ngriten padi penale ndaj ministrave aktual, ish-ministrave, pavarësisht se nga cila parti janë ose edhe ndaj vetë ish-kryeministrit“, tha për Zhurnal Tahiri. (ZHURNAL.mk)