Rrihet nga serbët pasi flet shqip me nënën e tij

45 Lexime

Asnjëherë deri më tani nuk kam përjetuar diçka të tillë dhe as që kam pasur probleme në qytetin në të cilin jam rritur

 

 

I riu D. K. (18) nga Novi Sadi, është rrahur në rrugën „Braça Ribnikar“ vetëm e vetëm se ka folur në gjuhën shqipe.

 

 
„Asnjëherë deri më tani nuk kam përjetuar diçka të tillë dhe as që kam pasur probleme në qytetin në të cilin jam rritur“, deklaron D. K. për portalin „Blic“, transmeton „Shtegu.com“.
Pasi D.K. kishte kryer bisedën telefonike me t`ëmën gjatë të mërkurës në mbrëmje, dy persona të panjohur fillimisht i kishin kërkuar një cigare, ndërsa më pas e kishin shtrirë përtoke duke e goditur me shqelma deri sa nuk i kishte ardhur në ndihmë një kalimtar i rastit.

„I dëgjova nga hapat se janë duke mu afruar. Më kërkuan një cigare dhe kur u thashë se nuk jam duhanxhi, më rrëzuan përtoke. Ndjeve një goditje të fortë. Më goditën me shqelma e me grushte, ndërsa mendoja se kjo nuk do të përfundojë asnjëherë. Për fatin tim të madh, vrapoi një kalimtar i rastit dhe më ndihmoi. Po të mos kishte qenë ky person, nuk e di se si do të kisha përfunduar. Të rinjtë të cilët më rrahën u larguan shumë shpejt nga vendi i ngjarjes“, i përkujton çastet e tmerrit D. K. i cili mezi që shpëtoi i gjallë.

Ai thotë se të rinjtë të cilët e kishin sulmuar nuk janë më të vjetër se të moshës 25-vjeçare dhe se nuk kanë pasur kurrfarë shenjash se i përkasin ndonjë grupi tifozësh, ndërsa kanë qenë të veshur me rrobe sportive.

„Nuk e di se kush mund të jenë të rinjtë të cilët më sulmuan, por mendoj se problemi kryesor ka qenë biseda të cilën e zhvillova me nënën time në gjuhën shqipe. Asnjëherë deri më tani nuk më ka ndodhur një gjë e tillë dhe as që kam pasur probleme në qytetin në të cilin jam rritur“, përfundon D. K.
Rasti në fjalë është paraqitur në polici e cila është duke e hetuar rastin.