Rrëmujë e vërtetë juridike pas vdekjes së vogëlushes autiste shqiptare

75 Lexime

„Dua ta di të vërtetën, përse vallë është dashur të vdesë bija ime. Përndryshe nuk po më hiqet nga koka pikëllimi i fatit të saj“, ka deklaruar Adrian Fortuzi 48-vjeçar.

 

Ai është prindi i Emilisë (15), vajzës autiste e cila më 12 nëntor të vitit 2013 ishte zhdukur nga Enti social „Home-École Romand“ në Friburg të Zvicrës.

 

Zbulimi i saj zgjati tre muaj me radhë, në shkurt të vitit të kaluar – e shtrirë pa jetë, në liqenin Schiffenensee, në afërsi të Friburgut. Për policinë ishte gjithçka e qartë: Bëhej fjalë për një vdekje tragjike, askush nuk mbante faj për vdekjen e saj.

 

Prokurori nuk kishte dashur t`i fillojë hetimet. Por prindërit kishin vazhduar me dyshimet e veta: Si ka mundur të zhduket pa u hetuar vajza nga enti? Përse u zbulua kaq vonë kufoma e saj? Vallë, a është e mundur që Emili ende të jetë gjallë?

 

Familja e saj nuk u tërhoq nga ky rast. Me avokatin e tij, babai i Emilisë kishte bërë ankesë ndaj vendimit të prokurorit. Më tepër se një vit e gjysmë më vonë, Gjykata e lartë e Friburgut ia pranoi ankesën.

 

Gjykatësit kanë vendosur që të hetohen me saktësi rrethanat e vdekjes së Emilisë. Kjo do të thotë: Prokurori i lartë Fabien Gasser (41) do të hetojë për vrasjen eventuale të Emilisë.

 

Babai i saj dhe avokati i tij, i kanë drejtuar entit social „Home-École Romand“ akuza të rënda. Zhdukja e vajzës ishte lajmëruar pas plotë 45 minutave e jo siç e parashohin rregullat interne, pas 15 minutave. „Shtrohet pyetja, vallë a do të ishte ende e gjallë Emilia po që se do të ndërmerreshin të gjitha masat e duhura“, pyet avokati Meier.
Tani, dokumentet që posedon gazeta „SonntagsBlick“ dëshmojnë se: Edhe gjatë kërkimeve policore për Emilinë ekzistojnë kundëthënie. Sipas një raporti të një polici, nëpunësit policorë dhe ata të entit social, pa sukses kishin kërkuar gjashtë orë të tëra pas vajzës.
Vetëm pas kësaj kohe, ata e kishin angazhuar një qen të trajnuar për raste të tilla: „Angazhimi i qenit ishte urdhëruar vetëm pas gjashtë orë kërkimesh të pasuksesshme të patrullave policore e nëpunësve të entit social“.

 

Sipas një dëshmie të një bashkëpunëtori të policisë së Friburgut, i cili ka dashur të ngelë anonim, një police i ka ofruar menjëherë policisë shërbimet e qenit të saj, por shefat policorë e kishin refuzuar një gjë të tillë.

 

Ashtu siç edhe ishte pritur, qeni i kishte zbuluar menjëherë gjurmët e Emilisë, por pa e gjetur vajzën. Një ditë më vonë, një qen tjetër i policisë kantonale të Kantonit Vaud, kishte shkuar pas gjurmëve të njëjta, duke zbuluar një këpucë dhe pjesë të rrobeve të Emilisë, por jo edhe vajzën.

 

„Emilia do të mund të kishte qenë gjallë po që se policja do t`ia fillonte menjëherë kërkimit“, është i bindur polici dëshmitar. Lidhur me këtë, policja nuk ka dashur të prononcohet për „Sonntags Blick“, ndërsa policia kantonale e Friburgut ka dalë me një deklaratë me shkrim në të cilën krijohen kundërthënie të raportit të polices.
„Zhdukja e Emilie Fortuzit në polici u paraqit në orën 18.02. Në orën 18.25 u angazhua qeni i parë nuhatës i trajnuar për raste të tilla“.

 

Raportin përkatës policia nuk dëshiron ta bëjë publik. Pasi është angazhuar menjëherë qeni, përse nuk dorëzohet raporti i polices? Këtë dhe disa pyetje të tjera do t`i hetojë prokurori i lartë Fabien Gasser.

 

Por, fillimisht ai nuk dashti të fillojë hetimet lidhur me zhdukjen e Emilisë. Vetëm pasi gjykata e urdhëroi ate më 2 korrik, ai do të punojë në këtë rast. Vallë, një prokuror i cili refuzon të hetojë një rast kaq të ndjeshëm, a do të mund të sjellë në dritë fakte të reja të rastit në fjalë?

 

Gasseri nuk sheh ndonjë problem në këtë çështje: „Jam i mësuar për të punuar seriozisht“, deklaron ai. Por, atij i mvishen disa raste të dyshimta për të cilët edhe më parë kishte pasur vërejtje nga Gjykata e përgjithshme zvicerane.

 

Dyshimi i 12 gjykatësve të lartë për këtë rast shtohet edhe më shumë me faktin se e bija e drejtoreshës së entit social është e punësuar si nëpunëse në gjykatë. Avokati Meier kërkon me bindje: „Familja dëshiron të dijë më në fund, kush është përgjegjës për vdekjen e Emilisë“.