Rasti i rëndë i një familje shqiptare preokupon gjermanët
Familja shqiptare R. nga Shqipëria është e kërcënuar për dëbim nga Gjermania: Çifti bashkëshortor me dy fëmijët dëshiron të qëndrojë, pasi në Shqipëri frikësohet nga një akt i hakmarrjes
Familja katëranëtarëshe R. i frikësohet dëbimit për në Shqipëri: Sipas një deklarate të nëpunësit komunal të rrethit Oldenburg, dhënë të përditshmes gjermane „Noz.de“ familja është e obliguar që të largohet, por një termin i saktë ende nuk është caktuar. Familja tashmë jeton në qytezën Ganderkesee, ndërsa në Gjermani kishte ardhur nga fundi i vitit 2013. Familja kishte bërë përpjekje për të anuluar vendimin për dëbim, por Gjykata administrative në Oldenburg e kishte refuzuar kërkesën e tyre. Vetëm edhe një opsion ka mbetur i hapur, e ai është aplikimi i kërkesës në rastet e rënda: Për këtë arsye, Sandra Baba, një këshilltare për refugjatë, ka marrë përsipër që të përkujdeset për këtë çështje. Se sa do të ketë ndikim kjo kërkesë, mbetet e paqartë.
Si arsye përse familja nuk dëshiron të kthehet në Shqipëri, ajo ka paraqitur frikën e hakmarrjes. Ajo ka rrënjët në Greqi dhe Shqipëri. Pas një marteese të dështuar, Lulzimja ishte martuar me bashkëshortin e tanishëm Fation R. Në Greqi, Fationi ishte plagosur dhe aktualisht është me aftësi rëndë të kufizuara: Ai supozon se është qëlluar me urdhër të ish bashkëshortit të gruas. Sandra Baba spjegon se në Shqipëri ekzistojnë histori të ngjashme. Mu për këtë, e gjithë familja tashmë gjendet në rrezik. Përpos Baba, familja ka përkrahje edhe nga bashkëkombasi Afrim Zhugolli: Ai punon në qendrën kulturore për refugjatë. Sipas Zhugollit, çifti bashkëshortor ka frikë për jetën e fëmijëve: Valenmtinës(5 vjeçare) dhe Elvijonit (njëvjeçar) dhe për jetët e tyre personale. Për te, rasti është shumë i rëndë pasi i njeh mirë rrethanat, ndërsa i kishte orientuar në institucione të ndryshme për ndonjë ndihmë eventuale. Fation R. i ka falënderuar të gjithë për përkrahjen morale dhe për ndihmën që i kishin ofruar në shërimin e plagës nga të shtënat. „Dëshiroj vetëm siguri për fëmijët e mi“, kishte deklaruar Fationi. është hera e dytë që komuna në fjalë është duke u ballfaquar me një rast të tillë, pasi një histori e një familje shqiptare e kishte vënë në angazhime të mëdha këtë komunë, ajo kishte jetuar 13 vite aty, ndërsa në vitin 2005, pas një debati të gjatë dhe shumë përpjekje për ndihma, më në fund ishte dëbuar.