Policia austriake kërkon të punësojë kolegë myslimanë
Vendosen konkurse nëpër qendra islamike
Policia austriake është në kërkim të punësimit të kolegëve të rinj. Për shkak të ndryshimit të strukturës së popullësisë austriake, ajo dëshiron të punësojë austriakë me prejardhje migrantësh. Kjo ka për qëllim të rrisë mirëkuptimin e të punësuarve të kulturave të ndryshme. Është hera e parë që policia austriake ka paraqitur konkurs në një qendër islamike.
Në Austri jetojnë rreth 600.000 myslimanë, prej të cilëve më tepër se 200.000 në Vjenë, me tendencë ngritjeje. Edhe përpos kësaj, përqindja e të punësuarve në polici është vetëm tre për qind. „Qëllimi i përgjithshëm është që policia të përbëhet ashtu siç është e përbërë edhe shoqëria jonë. Ky program është në përgatitje tashmë kohë të gjatë“, thuhet nga zyra e këshilltares për integrim, të Vjenës, Sandra Frauenberger.
Kohëve të fundit ishte mbajtur një takim mes policisë dhe përfaqësuesve të sektorit të integrimit në një qendër islamike në Vjenë, në rrethinën Floridsdorf. Një i interesuar i kishte deklaruar një emisioni „ëien heute“ të Televizionit austriak ORF, se policët myslimanë do të mund të zgjeronin kredibilitetin dhe besimin në shoqëri.
Por, lidhur me rastin, kanë pasuar kritika nga kryetari i shoqatës kulturore turke, Birol Kilic, i cili është i mendimit se myslimanët nëpër xhamitë austriake janë reduktuar: „Duhet lënë në qetësi shtëpitë e lutjes dhe konkurset të paraqiten nëpër shkolla e gjetiu. Me siguri se nuk paraqiten nëpër kisha konkurse për të punësuar policë të rinj të krishterë. Ne këtë akt e vlerësojmë si mjaft diskutabil“.