LAJME

Zaevi për maqedonasit, e kush për shqiptarët?

41 Lexime

Dr. Bashkim Iseni

Që nga fillimi i pluralizmit politik në Maqedoni historia e partive politike që i kanë përfaqësuar zyrtarisht shqiptarët është karakterizuar me krijime euforike, të pasuara me lindje të disidencave, me shuarje apo zbehje të partisë bazë, si dhe me lindje të sërishme të formacioneve krejtësisht të tjera, e kështu me radhë. Për dallim nga blloku maqedonas, edhe pse herë pas here janë shfaqur shiizma brenda partive kryesore, në skenën politike dominojnë që me dekada dy partitë politike historike, ajo e SDSM-së dhe VMRO-s.

Arsyet kryesore të këtij fenomeni të lindjes së vrullshme, disidencës dhe shuarjes së formacioneve politike shqiptare kanë të bëjnë me formën e legjitimitetit autoritar që ka mbretëruar brenda kryesive të këtyre partive, si dhe mungesën e hapësirës demokratike për të toleruar pluralitet mendimesh brenda tyre. Natyrisht kësaj gjendjeje i kanë kontribuar edhe raportet klienteliste që kanë ndërtuar partitë politike (qeveritë) maqedonase me udhëheqësit e partive politike shqiptare.

Tani, karshi përplasjeve politike madhore brendamaqedonase si dhe krizës së përfaqësimit të denjë të interesave shqiptare në Maqedoni, shtrohet sërish dhe me shumë seriozitet dilema se si të shkohet më tutje, kur kontestohet me të madhe qeverisja aktuale e VMRO-DPMNE-s, dhe ku në të është pjesëmarrëse partia politike kryesore shqiptare? Kush tani do t’i përfaqësojë shqiptarët, ngase formacionet aktuale, ajo e BDI-së dhe PDSH-së, nuk gëzojnë më legjitimitetin e nevojshëm popullor, shkaku i mosaftësive të lidershipit të tyre, nepotizmit, ndjekjes së verbër të interesave personale materiale, si dhe zvarritjes apo dështimit që me vite të çështjeve politike, socioekonomike dhe kulturore jetike për shqiptarët (veçanërisht sakatosjen e Marrëveshjes së Ohrit) dhe të mos flasim për skandalet që dolën në shesh dhe dhunën e fundit të inskenuar.

Si të sigurohet vazhdimi institucional i partive politike shqiptare në Maqedoni, pa i ndërprerë reformat e vazhdueshme dhe si të artikulohen në vazhdimësi interesat e shqiptarëve në këtë vend ?  Si zgjidhje afatshkurtër më e preferueshme do të ishte që krerët e partive politike kryesore aktuale shqiptare të tërhiqen dhe të pasojë një reformim rrënjësor dhe i shpejtë si i BDI-së, ashtu edhe i PDSH-së. Kjo nënkupton dorëheqje kolektive të udhëheqjes së tyre dhe organizim të kongreseve ekstraordinare, me emërime të reja të kuadrove nga baza që nuk janë të zhytur deri më tani në afera korrupsioni apo në abuzime kriminale të pushtetit dhe, pse jo, me kyçjen e disa figurave politike progresive jashtë tyre, apo që më herët kanë gravituar rreth këtyre partive politike. Sipas njohësve të lidershipit të këtyre partive, kjo është shumë vështirë të realizohet, ngase nuk ekziston vullnet ndryshimi as frymë demokratike për hapësirë kritike brenda tyre, gjë që edhe e shpjegon largimin apo izolimin e deritanishëm të personaliteteve më të zgjuara të këtyre partive politike. Veç kësaj, sipas tyre, çdo pore dhe degë e këtyre formacioneve politike është pjesë e një sistemi të gangrenuar nga korrupsioni dhe se reforma nënkupton vetëvënie në pyetje të pushtetit të tyre si dhe ballafaqim më vonë me drejtësinë. E tërë këto e pamundësojnë reformën.

Në kthesa të tilla me dimensione historike, siç është kjo aktuale, arsyeja duhet ta dominojë emocionin, pikërisht për të evituar skenarin klasik të lartpërmendur, sepse në esencë, në afate të gjata, kjo i dëmton shqiptarët. Në fakt, çka garanton se strukturat e reja politike që do të shpërthenin në këtë krizë besimi ndaj BDI-së dhe PDSH-së nuk do të veprojnë, në të ardhmen, njëjtë si këto të fundit ? Si të arrihen standarde demokratike që iu pamundëson individëve ta shmangin legjitimitetin demokratik në parti politike dhe të vetemërohen baballarë të partisë, duke e shndërruar strukturën politike në harem të tyre familjar dhe biznesor? Si të lidhen shqiptarët pas programit që një parti ofron dhe jo pas karizmës së figurës udhëheqëse të kësaj partie ?

Demokracia nënkupton liri ndërmarrjeje dhe iniciativash të reja, pra edhe krijim të strukturave të reja, për të konkurruar në zgjedhje. Mirëpo, sfida për shqiptarët është të krijojnë kulturë institucionale afatgjate, sepse nëse lidershipi dështon, struktura duhet të mbetet. Shembulli më i freskët është i Britanisë së Madhe, ku Ed Miliband dhe Nick Clegg, liderët e partisë që humbën zgjedhjet, u tërhoqën që të nesërmen.

Pra, në vend të nismave të reja me rregulla të vjetra, është kërkesë e kohës që partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni të reformohen, pa ambiguitet, në rrënjë, pas dështimit të lidershipit për të evituar shembjen. Ky presion do të duhej, së paku në teori, t’iu vijë nga baza e këtyre partive. Por, nëse kjo është thjesht e pamundur, atëherë duhet menduar për opsione të tjera afatshkurtra dhe afatgjate. Për shembull, aktivistët e shoqërisë civile si dhe strukturat e reja politike që janë duke lindur dhe vepruar do të duhej të lidhen mes tyre me një platformë të përbashkët dhe një frymë të re, me objektiva programore afër nevojave të votuesve si dhe pozicionime të qarta, veçanërisht në rrafshin e pozitës së shqiptarëve si pjesë përbërëse e këtij shteti, me standarde moderne dhe demokratike të veprimit. Kjo do të ishte një test i parë i tyre në drejtim të thyerjes të rrethit vicioz të mospërfaqësimit politik transparent dhe të denjë të shqiptarëve në Maqedoni. /Albinfo/