Pensionimi i pleqërisë në Zvicër
Postuar në 22.10.2024
81 Lexime
Ibrahimi: Gabimet në fillim të përcjellin tërë jetën
Sipas ekspertit Ruzhdi Ibrahimi, sistemi i pensionimit në pleqëri krijon siguri, barazi sociale, stabilitet shoqëror dhe kontribuon në mirëqenien ekonomike. Solidariteti në mes të gjeneratave dhe në mes të shtresave të varfra dhe të pasura është bërthama kryesore e sistemit të qëndrueshëm pensional në Zvicër, theksoi ai
Balsthal, 19 e 20 Tetor 2024
Të gjithë ata që gjenden para pensionimit duhet të informohen sa më mirë për sfidat dhe përgjegjësitë që përmban ky proces, përndryshe gabimet e bëra në fillim të përcjellin gjatë tërë jetës. Ky ishte mesazhi i përcjellë nga eksperti i diplomuar i Sigurimeve Shoqërore në Zvicër, Ruzhdi Ibrahimi, në kursin dyditor në gjuhën shqipe, të organizuar nga Instituti Arsimor i Bashkimit të Sindikatave në Zvicër “Movendo”.
Te pranishëm në këtë kurs ishin anëtarët e sindikatës Unia me vendbanim në Zvicër, por me prejardhje nga trojet e ndryshme shqiptare, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Shqipëria.
Pjesëmarrësit e kursit, përveç informacioneve të përgatitura enkas në gjuhën shqipe, patën edhe mundësinë e shtrimit të pyetjeve konkrete për raste individuale, për t’u përgatitur sa më mirë për fazën e pensionimit, si dhe mundësinë e llogaritjes së pensionit individual.
Ndër të tjerash, ishin të shumta çështjet që u trajtuan përgjatë dy ditëve, duke u argumentuar edhe me raste konkrete nga ana e ekspertit Ruzhdi Ibrahimi, për ta bërë më të kapshme domosdoshmërinë e përgatitjes dhe seriozitetit në procesin e pensionimit në Zvicër.
Cila është mosha e referencës për pensionim? A mund të dal para kohe në pension apo të vazhdoj punën pas arritjes së moshës së referencës? Si llogaritet pensioni i pleqërisë? Cili është pensioni i çiftit bashkëshortor? A mund të pensionohem në të njëjtën kohë me bashkëshorten /-in? Çka ndryshon në rast të ndryshimit të vendbanimit në një shtet tjetër në moshën e pensionit? Cilat janë ndryshimet nga reformat e skemave të pensioneve në Zvicër? Këto dhe çështje të tjera u trajtuan me prioritet në kursin dyditor, i cili tashmë ka një traditë disavjeçare të organizimit për anëtarët shqipfolës të sindikatave në Zvicër.
Solidariteti, bërthama e sistemit pensional
Në fillim, eksperti Ibrahimi solli disa statistika sa i përket pensionimit të pleqërisë në Zvicër, ku bëri të ditur se ligji i sigurimit të pleqërisë dhe trashëgimtarëve AHV është votuar në vitin 1947, ndërsa nga janari i vitit 1948 janë paguar pensionet e para, në mes të 40 dhe 125 franga në muaj. Në vitin 1966 ka hyrë në fuqi ligji i Përfitimeve suplementare ELG, kurse nga viti 1985 ka hyrë në fuqi kolona e dytë-arka e pensionit! Nga viti 1987, ndërkaq ka hyrë në fuqi kolona e tretë 3a!
Sipas Ibrahimit, sistemi i pensionimit në pleqëri krijon siguri, barazi sociale, stabilitet shoqëror dhe kontribuon në mirëqenien ekonomike. Solidariteti në mes të gjeneratave dhe në mes të shtresave të varfra dhe të pasura është bërthama kryesore e sistemit të qëndrueshëm pensional në Zvicër, theksoi ai.
Aktualisht ekzistojnë tri burime kryesore të financimit të pensioneve në Zvicër: a) Kontributet në paga; b) Tatimet: Tatimi i përgjithshëm, tatimet e veçanta të dedikuar për financim, tatimi në vlerën e shtuar, tatimi në alkool dhe duhan, tatimi nga kazinot; c) Investimet, normat e interesit, regresi etj.
Sa i përket procedurave të aplikimit, eksperti Ibrahimi bëri të ditur se e drejta në pension fillon nga fillimi i muajit pas arritjes së moshës së rregullt të pensionit. E drejta përfundon në fundin e muajit në të cilin personi vdes. Aplikimi me kohë i rëndësishëm: 5 deri 6 muaj para arritjes së moshës së pensionimit.
Për rastet ku pensionistët ballafaqohen me vështirësi në sigurimin e ekzistencës, për shkak të marrjes së një pensioni të vogël, nën nivelin e minimumit ekzistencial, Ibrahimi i përmendi Përfitimet suplementare (EL), të cilat plotësojnë pensionet e pleqërisë AHV apo Sigurimit të invaliditetit (IV). Sipas tij, kjo është një e drejtë ligjore që iu takon pensionistëve dhe nuk është ndihmë sociale.
Parimi i tri kolonave
Sistemi pensional në Zvicër është i organizuar në bazë të parimit të tri kolonave, të cilat i mbulojnë rreziqet sociale si mosha, invaliditeti dhe vdekja.
Përkujdesja shtetërore AHV/IV plus përfitimet suplementare, bëjnë pjesë në Kolonën 1, që është Siguria e ekzistencës.
Përkujdesja profesionale BVG është Kolona 2, që synon vazhdimin e mënyrës së zakonshme të jetesës, ndërsa përkujdesja private 3a është Kolona 3, që kuptohet si plotësim individual në bazë të kursimeve që kanë mundur të realizohen gjatë marrëdhënies së punës.
Në rast të arritjes së moshës së rregullt të pensionimit apo pensionimit të mëhershëm, shuma e kursyer gjatë punës shndërrohet/konvertohet në një pension vjetor dhe/apo mund të tërhiqet në formë kapitali (Kapitalizimi).
Ekzistojnë dy sisteme për procesin e kursimit: Skema me kontribute të përcaktuara (Primati i kontributit), si dhe Skema me përfitim të përcaktuar (Primati i përfitimit).
Varësisht nga dispozitat në rregullore, parimisht është i mundur pensionimi duke filluar nga mosha 58 vjeçare. Pensionimi i parakohshëm ndërlidhet me një normë të ulët të konvertimit dhe më pak kapital të kursyer dhe fitime më të ulëta nga norma minimale e kursimit.
Marrëveshjet ndërshtetërore
Marrëveshjet ndërshtetërore mbi Sigurinë Shoqërore përcaktojnë të drejtat dhe detyrimet e shtetasve të dy vendeve kontraktuese në Sigurinë Shoqërore. Parimi themelor është trajtimi i barabartë i shtetasve të vendeve kontraktuese.
Marrëveshja/Konventa në mes të Zvicrës dhe ish-Republikës Federative të Jugosllavisë vlen sot edhe për shtetasit e Bosnje Hercegovinës (BA), Serbisë (RS) dhe Maqedonisë (ME), si dhe për shtetasit e Kosovës deri më 31 mars 2010. Serbia dhe Mali i Zi kanë arritur marrëveshje të re, por në mungesë të ratifikimit nuk ka hyrë akoma në fuqi.
Zvicra ka marrëveshje/ konventa multilaterale/me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të EFTA-s. Marrëveshjet bilaterale mbi sigurimet shoqërore vlejnë parimisht për shtetasit e Zvicrës dhe të shtetit pjesëmarrës në marrëveshje.#
Shtetasit e Zvicrës apo të një shteti pjesëmarrëse në marrëveshje janë të siguruar vetëm në një vend, parimisht në vendin ku punojnë apo në vendin ku ndodhet qendra e ndërmarrjes.
Shtetasit e Zvicrës apo të një shteti pjesëmarrës në marrëveshje, të cilët punojnë në dy vende janë të siguruar në dy vende, përkatësisht në vendin ku kanë themeluar vendbanimin e përhershëm.
Marrëveshja në mes të Zvicrës dhe Kosovës
Më 8 qershor 2018 arrihet marrëveshja ndërshtetërore e Sigurisë Shoqërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës. Më 18 tetor 2018 ratifikohet marrëveshja ndërshtetërore e Sigurisë Shoqërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës në kuvend.
Më 21 mars 2019 ratifikohet në senat (oda kantonale) marrëveshja me mundësi të referendumit.
Në parlament ratifikohet përfundimisht më 21 qershor 2019.
Përfitimet retroaktive nuk janë të mundshme, por vetëm duke filluar nga hyrja në fuqi e marrëveshjes.
Marrëveshja vlen për shtetasit e Kosovës dhe për shtetasit e Zvicrës.
Marrëveshja e shtrinë vlefshmërinë e saj gjeografike në territorin e Zvicrës dhe të Kosovës.
Marrëveshja për mënjanimin e tatimit të dyfishtë në mes Zvicrës dhe Kosovës fillon të zbatohet nga 1 janari 2019.
Marrëveshja zbatohet për personat të cilët janë rezidentë të një ose të dy shteteve kontraktuese dhe ka për qëllim shmangien e tatimit të dyfishtë për tatimet në të ardhura. Me marrëveshje pretendohet të evitohet mundësia për mospagimin e tatimit nëpërmjet evazionit apo shmangies.
Marrëveshja do të zbatohet për tatimet mbi të ardhurat që vendosen në emër të një Shteti Kontraktues, pavarësisht nga mënyra në të cilën mblidhen.
Tatimet ekzistuese te të cilat gjen zbatim kjo marrëveshje janë:
Në Zvicër: tatimet federale, kantonale dhe komunale mbi të ardhurat (të ardhurat e përgjithshme, të ardhurat e fituara, të ardhurat nga kapitali, fitimet industrial dhe tregtare, fitime nga kapitali, dhe zëra të tjerë të të ardhurave);
Në Kosovë: tatimi mbi të ardhurat personale dhe tatimi mbi të ardhurat e korporatave.
Të ardhurat në botën e jashtme, për të cilat gjithmonë do të paguhet tatimi në botën e jashtme janë:
Të ardhurat nga lokalet e biznesit në botën e jashtme (qendrat),
Të hyrat nga patundshmëritë (qiratë dhe vlera e qerasë banuese),
Ndihmë sociale apo përfitime suplementare.
Kush është i varur nga asistenca sociale apo përfitime suplementare (EL/PC) dhe posedon pasuri jashtë vendit, pa e deklaruar dhe nuk e deklaron atë, kryen vepër penale.
Shkelja, në raste të rënda mund të dënohet me burg;
Për njerëzit pa pasaportë zvicerane, mund të pasojë edhe dëbimi nga Zvicra.
(AA, RI)