Pacolli: Ndalu zoti Halil, mos luaj me moralin tim!
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, i është kundërpërgjigjur me fakte Halil Matoshit, në lidhje me disa akuza që ky i fundit kishte bërë në drejtim të ish zëvendëskryeministrit të Kosovës.
Matoshi në një shkrim kishte thënë se Pacolli në Kosovë ka investuar vetëm në pijetore, hotele e kështjella personale.
Mirëpo, Behgjet Pacolli i është kundërpërgjigjur atij, duke treguar se ai momentalisht në Kosovë ka të punësuar në kompanitë e tij mbi 2500 punëtorë, pra që punojnë vetëm në Kosovë. Po ashtu Pacolli i ka treguar Matoshi se deri në fund të këtij viti do të hap edhe 650 deri ne 800 vende të tjera pune në Kosovë.
Ja postimi i plotë i Behgjet Pacollit në Facebook:
Ndalu zoti Matoshi, mos luani më moralin tim dhe të familjes time.
Në një prej postimeve tuaja të mëhershme, ju, zotëri Halil Matoshi, shprehët hidhërimin tuaj pse një, siç e quanit ju, këshilltar i imi ju ishte kundërvënë në shkrimet tuaja. Pasi mësuat se e gjitha kjo kishte ndodhur pa involvimin tim, ju u zotuat se nuk do të mirreni me me mua në planin personal, vetë ju patët shkruar.
Në dy postime dhe shkrime të fundit në lidhje me çështjen e UNESCO-s, ju vazhdoni të merreni me cilësime personale në adresë time, diçka që është e ulët dhe e pandershme. Nuk dua të polemizoj me argumentat tuaj. Nuk më intereson ta cënoj lirinë tuaj të shkrimit, por në pamundësi të një sistemi të drejtë që mbron dinjitetin e individit po reagoj vetë.
Unë e mirëkuptoj se jam shumë tërheqës për t’u atakuar prej shumëkujt, por s’dua të besoj se dikush si ju që ndihet intelektual është i obsesionuar të më atakojë me interpretime fyese që ngjajnë me shpifje. Unë nuk po du me hy me ju në debat të ulët, me fyerje, me shpifje, qoftë dhe të shkruara bukur, pse nuk është stili im e as morali im familjar. Unë nuk kam kurrfarë frustrimi me ju, dhe nuk e kuptoj çfarë motivi keni ju. Ju keni mjaftueshëm pavarësi të mos ju shtyjë dikush në rrugë të gabuar, atëherë pse jeni i frustruar me mua? Besoj se jeni mjaft inteligjent, nuk jeni analfabet, siç më quani mua dhe e dini se ajo çka po shkruani herë pas here, nuk i përgjigjet të vërtetës.
Ju lutem, z. Matoshi, të kuptoni se as unë e as familja ime nuk duhet të ishim objekt apo qëllim i fyerjeve dhe fjalëve tuaja banale (mos t’i quaj ndryshe). Shkurt, nuk ju kam asnjë borxh. Mos luani me moralin tim dhe familjës time.
Besoj se e keni shumë të lehtë të bëni një krahasim mes asaj që ju më cilësoni mua dhe familjen time dhe realitetit që përfaqësojmë.
Ju fyeni punën time, më fyeni mua e bashkë me mua fyeni dhe familjen time bashkëpronarë të bizneseve të mia, e bashkëpunëtorët e mi, të cilët më janë lutur t’ju përgjigjem në akuzat tuaja. Unë nuk po ju përgjigjem si kërkonin bashkëpuntorët e mi, por po ju them se ishte një e pavërtetë (mos ta quaj ndryshe) kur thoni se unë nuk kam investuar në Kosovë, pos Pijetoreve e Hoteleve. Zoti Matoshi, nuk është traditë e familjes time të ndërtojë pijetore, siq i quani ju. Ne nuk pimë e asnjëhërë dhd nuk jemi të DEHUR.
Po, është një Hotel në Prishtinë, thojnë se është dinjitoz dhe punëson mbi 170 puntorë. por nuk kemi pijetore të tjera, siç shkruani ju, z. Matoshi.
Në anën tjetër, shkruani se unë nuk kam investuar asnjë gjë tjetër në Kosovë. Z. Matoshi, nuk keni të drejtë (mos t’ju them ndryshe) nuk e tregoni realitetin (mos t’ju them ndryshe) dhe nëse nuk e dini, unë vetëm në Kosovë në ndërmarrjet e mia dhe të familjes time punësoj mbi 2500 veta. Janë ndërrmarrje prodhuese, fabrika të cilësisë së lartë dhe institucione shërbimesh.
Nëse Zoti don, deri në fund të vitit do të hapen edhe 650 deri ne 800 vende të tjera pune.
Sa i përket punës së kompanisë time jashtë Kosovës ku punojnë shumë mijëra kosovarë e që Kosovës i sjellin shumë milijona remitenca, ju nuk dini (apo nuk doni) të bëni dallimin mes investimeve dhe punëve kontraktuese.
Zotëri, nëse nuk don me shkruar të vërtetat edhe ndaj personave që je i frustruar, atëherë ndalu e mos shkruaj të pavërteta rreth tyre. Mos ofendo njerëz e familjarë. Kjo do të lartonte intelektualisht dhe moralisht! Bëhu dinjitoz, i drejtë e sillu si zotëri, zotni Matoshi! (Bota Sot)