Brahimi me shokë shpëton foshnjen që e kishte hedhur e ëma nga kati i dytë (VIDEO)
Të dielën e kaluar, një foshnje ishte hedhur nga e ëma, nga ballkoni i katit të dytë të një ndërtese, që kishte marrë flakë në Corbeil të Francës.
Videoja impresionuese e një foshnje të hedhur nga e ëma, nga ballkoni i katit të dytë të një ndërtese që kishte marrë flakë, në Corbeil-Essonnes të Francës, ka bërë xhiron e botës nëpër rrjetet sociale. Foshnja është pritur nga disa persona që mbanin në duar një çarçaf të bardhë, ndërsa të gjithë e kanë përshëndetur trimërinë e nënës dhe aftësinë e personave shpëtimtarë.
„Foshnja dhe e ëma janë shpëtuar“, këtë lajm të mirë e ka komunikuar Eric Breton, zëvendës kryetari i Komunës. Videoja, e cila disa ditë është duke qarkulluar nëpër rrjetet sociale, tregon një grua duke hedhur foshnjen nga ballkoni i katit të dytë të një ndërtese që kishte marrë flakë. Foshnja është pritur nga pesë persona, të identifikuar si fqinj. Duke parë rrezikun e zjarrit edhe e ëma merr guximin dhe hidhet nga ballkoni.
Njëri nga fqinjët, Brahimi, për „Europe 1“ ka treguar se si ka hipur me pesë shokët e tij nëpër katet e ndërtesës, për t`i paralajmëruar banorët se ka shpërthyer një zjarr. Por, tymi i dendur nuk e kishte lënë që të vazhdojë misionin e tij të shpëtimit, përderisa e kishte parë edhe nënën e pafuqishme me foshnjen në ballkon. Që të pesë shpëtimtarët ishin mobilizuar duke marrë një çarçaf dhe duke i bërtitur nënës: „Hidhe foshnjen“. Fillimisht ajo kishte dyshuar, por më pas e hodhi“, spjegon Brahimi. Përpos çarçafit, ata kishin shtruar edhe një dyshek sa për tu vërtetuar se gjithçka do të shkojë mirë.
Më pas, shpëtimtarët ishin pranuar në Komunë, ku iu ishin ndarë falënderime të shumta. „Të gjithë na falënderuan dhe na thanë se janë krenarë me ne“, pohon Brahimi.