Oligarkët dhe kleptokratët e Kosovës – Muhamer Pajaziti
Kryeministri Isa Mustafa dhe vartësi kryesor i tij Hashim Thaçi e kanë rrethuar Kosovës me tela me gjemba, për të qeverisur më lehtë me kastën e tyre të politikanëve të korruptuar.
Kosova sot, në kumtimin e plotë të fjalës është një oligarki e stilit të Putinit, ku disa persona ose një klasë apo klikë politike kleptokratësh po kontrollon gjithçka, duke filluar nga bizneset, një numër të madh të medieve, universitetet, shoqërinë civile dhe pothuajse të gjitha institucionet e pavarura.
Dhe krejt ky sistem po funksion përmes korruptimit të gjyqësisë vendore e ndërkombëtare.
Kjo u dëshmuar me raportimet e „Kohës Ditore“ për skandalet në misionin më të madh të BE-së, EULEX-in dhe dështimin e plotë të sistemit kosovar të jurisprudencës.
Kjo kastë e politikanëve është në gjendje të të gjykojë, montoj, shantazhoj, falimentoj si biznes brenda natës… sepse të gjitha hallkat e pushteti janë në duart e tyre.
Këto janë edhe shkaqet e mos funksionit të ekonomisë kosovare, varfërisë, skamjes, eksodit masiv, izolimit total, themelimit të një gjykate speciale që rrezikon sovranitetin e shtetit dhe shumë të këqijave tjera që priten të shtohen nëse nuk gjendet ndonjë mekanizëm për parandalimin e tyre.
Aq shumë e kanë dërmuar Kosovën, sa që edhe bizneset e tyre dhe aktorët kryesor që mbajnë gjallë këtë oligarki janë vënë në krizë.
Për ti mbajtur gjallë hienat e tyre, bosat e kësaj forme të qeverisjes po përdorin edhe kartën e fundit për ta zhytur vendin në borxhe tek institucionet ndërkombëtare financiare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Ndërkombëtare për Ndërtim dhe Zhvillim, Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim etj.
Fatkeqësisht, këto mjete do ta rrisin akoma më shumë shkallën e korrupsionit duke investuar në projekte të cilat i kontrollojnë vetë ata, ndërsa normat e interesit do ti shlyejnë qytetarët e varfër dhe të pa shpresë.
Në këtë rrethana, nga pakënaqësitë e mëdha normal se do të lulëzojnë forcat ekstremiste dhe radikale, si një indikator i fuqishëm për zhvendosjen e opinionit nga problemet reale. Ndërsa në një plan më afat gjatë edhe destabilizimin e vendit dhe humbjen e perspektivës euroatlantike.
Skenarë tjetër i këtij pushteti diktatorial do të jetë edhe karta e nacionalizmit, kjo u pa edhe me rivarrosjen e heroit kombëtar Isa Boletini.
Me muaj të tërë u fol për rivarrimin e tij, sa fjalime e poezi në Parlament, duke mos qenë të vetëdijshëm se po këta individë shkelën dhe rrënuan idealin për të cilin kishte luftuar ky hero i madh i shqiptarëve.
Nuk është larg me mendjes që për një kohë të shkurtër të gjitha sheshet e qyteteve në Kosovë do ti mbushin me përmendore e statuja. Sepse fatkeqësisht shkollat e tyre të politikës janë Shkupi e Tirana.
Mirëpo, kam përshtypjen se për një kohë relativisht të shkurtër do të konsumohen të gjitha këto plane dhe politika destruktive.
Populli shpejtë do të kuptojë të vërtetën e hidhur dhe me forcën e uraganit, përmes instrumenteve demokratike do ta rrënojë këtë pushtet mafioz që po i rrezikon e themelet e shtetësisë së Kosovë.
Besojë se në këtë drejtim do të japin një kontribut të çmueshëm edhe aleatët tanë të, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e pak a shumë edhe Brukseli zyrtarë. /INA.online/