Reportazh: Mesnica, fshati që frymon shqip mu në “zemër” të maqedonasve

520 Lexime

Mesnica, është njëri nga fshatrat më të lashtë shqiptar të Komunës së Zelenikovës në Qytetin e Shkupit, me një traditë po ashtu të lashtë të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kombëtare dhe fetare. Ky fshat gjendet 38 kilometra në periferi të Shkupit, në të cilin fshat tani më jetojnë vetëm se 70 banorë me 50 shtëpi, ndërsa para viteve 90` të shekullit të kaluar, në këtë fshat kanë jetuar mbi 500 banorë. Arsyet e shpërnguljes së banorëve të këtij fshati në qytet kryesisht janë ekonomike. Emri i fshatit Mesnicë vjen nga fakti se ai ndodhet mes dy lumenjve, lumit Kadinë dhe lumit Vardar, prej nga edhe ka marrë emrin. Banorët të cilët kanë mbetur vazhdojnë jetën në fshat, kanë kushte minimale ekzistenciale, duke e siguruar mbijetesën me kultivimin e duhanit dhe ruajtjen e bagëtive.

“Fshati ynë në të kaluarën ka pasur më shumë banorë dhe ka qenë një nga fshatrat me një bujqësi të zhvilluar, ku kryesisht është kultivuar duhani. Po pas viteve 90`, pra pas pavarësimit të Maqedonisë, shumica e qytertaëve tanë për arsye ekzitenciale janë shpërngulur në qytet ku edhe po zhvillojnë bizneset e tyre. Unë vazhdoj të jetoj këtu së bashku me vëllezërit e mijë dhe familjen time. Ekzistencën e siguroj nga kultivimi i duhanit, ndërsa ruaj edhe ca bagëti për të mirëmbajtur familjen. Edhe fëmijët e mi mësojnë në shkollën e fshatit dhe nuk kam ndërmend të largohem e të boshatiset ky fshat. Zaten, këtë e dëshirojnë maqedonasit”, thotë Musli Saiti, banor i fshatit Mesnicë.

Në Mesnicë funksionon edhe Shkolla Fillore Periferike “Marko Cepenkov”, e cila mësimin e zhvillon me paralele të kombinuara nga klasa 1 parë deri në klasën e 8 dhe mësimi zhvilohet në gjuhën shqipe. Për mbi 30 nxënësit e kësaj shkolle kujdesen katër arsimatrë, të cilët në këtë mision të vështirë fisnik e kombëtar ballafaqohen me probleme të natyrave të ndryshme.

“Është knaqësi që të jeshë mësues në një fshat siç është Mesnica. Me shumë zell dhe përkushtim i jemi përkulur punës së arsimit për arsye se të punosh në një shkollë me mësim të kombinuar dhe në fund të krijosh kuadër të diplomuar, padyshim se është sukses”, thotë Sulejman Sejfullahai, arsimtar në shkollën fillore të fshatit Mesnicë.

Ai thekson se gjatë udhëtimit të tyre nga qyteti për në fshatin Mesnicë, arsimtarët hasin në probleme të natyrave të ndryshme.

“Nga qyteti për në fshatin Mesnicë uthëton autobusi i Ndërmarrjes publike të qytetit me numër 67, por ai stacionin e fundit e ka deri në fshatin Zelenikovë dhe nga andej e deri në fshatin Mesnicë duhet të kalojmë në këmbë edhe mbi 10 kilometra. Gjatë stinës së verës nuk është problem për arsye se edhe banorët e fshatit me mjetet e tyre bujqësore motorike që kanë, shumë herë na bartin nga stacioni autobusit deri në fshat, por ama gjatë stinës së dimrit është pak sa problem për arsye se shumë shpesh rrugës hasim edhe në qenë endacakë”, shpjegon Sejfullahi.

Sipas tij edhe për skaj gjithë kësaj, kur është në pyetje arsimi shqip ia vlen të skarifikohet. Nga Komuna e Zelenikovës lidhur me transporitin e këtyre arsimtarve për portalin ExPress.mk thonë se janë duke u shqyrtuar disa mënyra për ta zgjedhur këtë situatë.

Edhe nxënësit e kësaj shkolle u shprehën të kënaqur nga përkushtimi i mësimëdhënësve të tyre.

“Arsimitarët tonë japin maksimumin që ne të fitojmë sa më shumë dituri dhe njohuri. Ata krahas që na arsimojnë, po ashtu edhe na edukojnë në frymën kombëtare dhe qytetare. Nga dora e po këtyre arsimtarëve kanë dalur edhe shumë gjimnazistë të cilët kanë mbaruar shkollimin me sukses të shkëlqyer, por edhe shumë të diplomuar”, thotë nxënësi Amir Saiti.
Në këtë fshta kalon edhe lumi Kadinë, i cili është atrakcion i veçantë për qytetarët e Shkupit dhe rrethinës, të cilët gjatë stinës së veresë vijnë për tu dëfryer dhe bërë piknik buzë lumit. Mbi të kalon një urë e metaltë e fuqishme dhe e lartë nga e cila shpeshë herë dëgjohen bubullimat e trenit i cili kalon mbi këtë hekurudhë e që është linja e hekurudhës Shkup-Veles.

Banorët e këtij fshati shprehen të shqetësuar për arsye se nuk ka siguri të madhe mbi këtë urë dhe shumë nga bagëtia e tyre shtëpiake ishin aksidentuar nga trenat që kalojnë mbi të, duke pësuar edhe dëme të mëdha materiale.

Mu në mes të këtij fshati, si në çdo fshat shqiptar që kryesisht është me popullatë muslimane ndodhet edhe Xhamia “Rashid Aga” e cila është e ndërtuar që nga viti 1905 ndërsa është rinovuar pas viteve 90`.

Imami i kësaj xhamie haxhi.Nijazi ef. Fetahaj thotë se banorët e këtij fshati në këtë xhami, krahas që i kryejnë ritet e tyre fetare, ato në të po zhvillojnë edhe ligjerata të shumta të karakterit edukativ.

“Xhemati jonë në xhami krahas asaj që kryen ritet fetare islame, herë pas herë tubohet këtu në xhami për të disktuar mbi problemet e fshatit, por edhe për të organizuar ligjerata fetare që kanë karakter edukativ”, thotë hoxhë Nijaziu. /ExPress.mk/