Mobilizim i madh i gjermanëve për të ndihmuar familjen shqiptare
03:00:41 2015-12-21
Në Shqipëri, familja Aliaj kishte banuar vetëm në një dhomë, ndërsa në Essen të Gjermanisë ka gjetur nja banesë të bukur dhe shumë miq të cilët po i ndihmojnë për të vazhduar jetën.
Parajsa e familjes shqiptare gjendet në Borbeck dhe është me një sipërfaqe prej 108 metrash katrorë: Para një viti, Drita Aliaj (44) është vendosur këtu me katër fëmijët e saj – në Shqipëri ajo e kishte pasur vetëm një dhomë me dymbëdhjetë metra katrorë. Që tre dhomat në Essen u bënë shtëpia e tyre, ata duhet tu falënderohen gjithashtu edhe qiradhënësve, të cilët u përkujdesën me angazhim të madh për familjen shqiptare, duke e alarmuar edhe rrethin e ngushtë të miqve.
Familja Aliaj kishte jetuar në fshatin Porto Romano, në afërsi të bregdetit shqiptar. Por, edhe përkundër kësaj, familja nuk kishte shkuar asnjëherë në bregdet. Përpos vajzës Irena (24) dhe djalit Denisit (11), Drita Aliaj ka edhe dy fëmijë me aftësi të kufizuara: Rajmondën (18) dhe Florin (23). „Personat me aftësi të kufizuara tek ne nuk dalin jashtë“, rrëfen vajza më e moshuar, Irena. Gjyshi i saj nga ana e babait i kishte përcjellur rreptë rregullat shtëpiake.
Kufizimi i jetesës në fshat ka qenë aq normal sa edhe dhuna që e kishte ushtruar babai. Kur ai para tetë vitesh ishte zhdukur, duke lënë bashkëshorten me njërin sy pothuajse të verbuar, për te ka qenë një lehtësim i madh. Për Irenën shkolla kishte mbaruar vetëm pas tetë viteve, që atëherë jeta e saj ka lozur midis amvisërisë dhe punëve në kopsht. Kohën e lirë e kalonte duke shikuar televizionin italian, ndërsa fshhurazi takohej edhe me të dashurin, Pëllumbin.
Në këtë mënyrë, ajo nuk i humbi asnjëherë shpresat dhe ëndërrat. Kur dëgjoi se në Gjermani ekzistojnë gjasat për një jetë më të mirë, kishte vendosur që të shkojë atje, megjithëse e ëma nuk e kishte pasur idenë se çfarë po përgatiste. Një kushërui i saj i kishte ndihmuar për biletë, ndërsa Pëllumbi i kishte paguar. Udhëtimi kishte zgjatur 48 orë „dhe ishte një katastrofë e vërtetë“, rrëfen sot Irena, duke aluduar para së gjithash në vëllain dhe motrën e saj me aftësi të kufizuara.
Të rraskapitur, më 5 gusht 2013 ata arritën në Dortmund, morën një taksi të cilit i thanë „Azil“. Vozitësi i dërgoi në qendrën e pranimit dhe iu ktheu më tepër të holla se sa që ata e paguan. Ishte gjesti fillestar i mirëseardhjes, por pasuan shumë byrokraci dhe frikë. Në qendrat strehimore në Sauerland dhe Essen, ajo nuk i largoi asnjëherë brengat se ditën e ardhshme do të dëbohet.
Duhet falënderuar situatës së rëndë të Florinit dhe Rajmondës, që në muajin tetor ajo u pajis me një lejeqëndrim dhe me lejen për të kërkuar një banesë. Me këtë rast, në lojë u fut shtetasja gjermane Ursula Henkys, e cila ua huazoi banesën e krushkes së saj të vdekur. Më 23 dhjetor të vitit të kaluar, familja shqiptare ishte vendosur në banesë „dhe bashkërisht i festuam Krishtlindjet“, rrëfen Ursula Henkys, e cila kishte punuar si pedagoge e diplomuar me refugjatë. Tashmë janë paraqitur edhe vullnetarë të shumtë për t`i ndihmuar familjes shqiptare: „E kemi themeluar një grup në Whats-app dhe nuk e kemi vështirë të gjejmë vullnetarë“, vazhdon ajo për „Der Westen“, njofton „Shtegu.com“. „Disa përkujdesen që Florini të shkojë në punëtorinë e personave me aftësi të kufizuara. Të tjerët përkujdesen për vijimin e shkollës të Rajmondës – që të dy asnjëherë në Shqipëri nuk kishin pranuar ndonjë promovim të tillë. Denisi është duke vazhduar shkollimin e rregullt, ndërsa nëna Drita është duke parë shumë më mirë pas operacionit në sy. Para së gjithash, shpresa për jetë i është kthyer sërish: „Do të pranoj të jetoj edhe në tendë, vetëm të kem të drejtë të qëndroj“, pohon ajo. Dëshira e saj për Krishtlindje është: Të mësojë gjermanisht, ndërsa kursi fillon në muajin shkurt.
Vajza e saj, Irena e ka përfunduar një kurs disamuajsh dhe flet rrjedhshëm gjuhën gjermane, gjë për të cilën duhet falënderuar Ursula Henkys me familjen e saj dhe miqve të saj. Tashmë Irena do të vijojë edhe shkollimin, ndërsa bashkëshorti i saj, Pëllumb Kolpreci, i cili në ndërkohë gjithashtu jeton në Essen, nga muaji mars i vitit të ardhshëm do të ketë të drejtë të punojë. Për pak kohë, çifti ishte vendosur në një banesë, ndërsa në nëntor u kishte lindur edhe Agimi i vogël.