Mjekja serbe ndërron gjininë për të mos u pensionuar
E përditshmja austriake „Krone.at“, i ka kushtuar vëmendje të posaçme mjekes serbe Dr. Mirjana Stanojcic nga Serbia, e cila është revoltuar nga fakti se duhet të pensionohet: „Kolegu im moshatar mund të vazhdojë punën, ndërsa unë jo“, ka akuzuar mjekja 64-vjeçare dhe tashmë, ajo ka vendosur të ndërrojë gjininë në mashkull. Një mik i saj kirurg, këtë gjë do t`ia bëjë falas.
Me një vendim të tillë spektakolar, specialistja për terapi fizikale nga Gornji Milanovac, në opinion ka shkaktuar debate të shumtë lidhur me Ligjin në fuqi të Serbisë që është aprovuar si masë për kursim, që gratë të pensionohen me 60,5 vite, ndërsa meshkujt me 65.
Nga spitali në Gornji Milanovac, ku ajo është e punësuar, Stanojcicit i është urdhëruar që të pensionohet. Një gjë të tillë ajo e ka refuzuar, informojnë nga Ajencia e lajmeve AFP, transmeton „Shtegu.com“. Gjykata kushtetuese e ka prolonguar shqyrtimin e këtij procesi i cili nga shumica është vlerësuar si diskriminues. Por, Stanojcic ka vendosur që të operohet dhe të shndërrohet në mashkull, megjithëse kur të përfundojë tërë procesi i ndërrimit të gjinisë, ajo do të jetë në moshë 65-vjeçare.
Qysh në vitin 2010, në Austri kishte ndodhur një rast i ngjashëm, kur një mjeke nga Tiroli ishte detyruar të pensionohet kundër dëshirës së saj. Por, ajo kishte intervenuar në Gjykatën për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut në Strasburg, duke e fituar lëndën ndaj shtetit austriak.