Mbyllet autostrada gjermane, pasi shtetasi maqedonas kishte mbytur me kamion një gjerman

57 Lexime

16:37:15                    2016-12-26

 

 

 

 

 

 

Natën e së enjtes, autostrada gjermane në mes të Dormagen dhe Worringen, në drejtim të Kölnit, nga ora 22.00 e deri 24.00, ka qenë e mbyllur, është thënë në një komunikatë të udhëheqësisë komunale të Düsseldorfit. Shkak i këtij veprimi, sipas zëdhënëses ka qenë „hetimi dhe rikonstruimi i një aksidneti të komunikacionit“.

 

 

 

 
Gjatë kësaj kohe, për vozitësit është rezervuar një rrugë tjetër e devijuar, përmes U16. Mbyllja e autostradës ka ndodhur për shkak të një rikonstruimi të një aksidenti të 22 nëntorit të këtij viti, me ç`rast një shtetas maqedonas ka goditur për vdekje një banor 55-vjeçar të Pulheimit. Për shkak të një defekti teknik të veturës së vet, ai ishte ndalur në korsinë për raste emergjente në A57. Duke dashur të sigurojë veturën me shenja të nevojshme komunikacioni, ai u godit nga një kamion të cilin e drejtonte një shtetas maqedonas, shkruajnë mediet gjermane, njofton „Shtegu.com“. Me këtë rast, vozitësi vazhdoi rrugën pa u ndalur në vendin e ngjarjes, por duke u falënderuar dëshmitarëve, ai është arrestuar në Köln. Shtetasi 40-vjeçar maqedonas, pa vendbanim të përhershëm në Gjermani, që atëherë është duke qëndruar në paraburgim.

 

 

 

 

Viktima kishte humbur jetën që në vendngjarje, pasi ekipet e shpëtimit ishin përpjekur për 40 minuta të tëra, ta reanimojnë. Tashmë, autoritetet gjyqësore janë duke u përpjekur që përmes rikonstruimit ta ndriçojnë rastin deri në fund, nëse viktima është larguar më tepër se sa duhet nga vijat e lejuara, apo nëse vozitësi është futur në vijat e ndaluara për vozitje.