Maqedonia, shteti njerkë për mërgimtarët tanë

48 Lexime

Maqedonia vazhdon t’i shoh vetëm si para apo euro e franga, bashkëatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në vendet europerëndimore dhe kontinentet e tjera.

Ky shtet sillet si njerka me fëmijën, ku nga gjitha të mirat që i sjellin në vendlindje, ata nuk përfitojnë asgjë. Asnjë pritje, organizim, lehtësim apo ndonjë benefit që të lënë paratë dhe djersën e tyre me kënaqësi.

Ismail.S, bashkëatdhetar që punon në Gjermani thekson për INA se ai çdo vit gjatë pushimit harxhon në vendlindje prej 10 deri 20 mijë euro dhe se sipas tij nga këto para përfiton edhe shteti.

“Ne vijmë vetëm për shkak se i takojmë kësaj toke ku kemi lindur dhe sa për këtë shtet të pistë as që duam të dëgjojmë. Ky na trajton sikur njerka fëmijën. Ne s’kemi kurrnjë gjë të mirë, vetëm synojnë të marrin paratë, të na rrjepin përmes faturave të ndryshme e gjobave. Por them që ajo që na sjellë këtu janë tokat tona, familja dhe e ardhmja që synojmë ta ndërtojmë këtu ndonjëherë. Shpresojmë se do të bëhet mirë për ne shqiptarët”, theksoi Ismail S.

Ata harxhojnë me mijëra euro vetëm për një periudhë të shkurtër dhe me ardhjen e tyre gjallërojnë gati të gjitha bizneset. Por, gjallëron edhe vetë shteti, sepse është në pritje të parave të tyre për të mbuluar të gjitha vrimat e krijuara nga arkën e shtetit.

Paratë e tyre që harxhohen apo lihen në vendlindje shkojnë mbi 1 miliardë euro.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, diaspora vitin e kaluar në Maqedoni ka dërguar 380 milionë dollarë, që paraqet 3.7 për qind të Bruto Prodhimit Vendor.

Por, jozyrtarisht mësohet për shuma më të larta, deri në 1 miliardë euro, për shkak se pjesa më e madhe e atyre parave hyjnë në Maqedoni përmes rrugëve jozyrtare, apo kryesisht ato sillen në mënyrë direkte nga mërgimtarët në familjet e tyre, apo ata kryejnë investimet e tyre familjare në prona dhe shtëpi, apo edhe harxhime tjera.

Eksperti për çështje ekonomike Visar Ademi kohë më parë ka deklaruar se buxheti i Maqedonisë varet shumë nga parat që i sjellin emigrantët tonë.

“Me paratë që ato sjellin në Maqedoni, harxhimet që ata i zhvillojnë këtu dhe investimet e tyre në patundshmëri (shtëpi dhe tokë) kontribojnë në zhvillimin ekonomik të këtij vendi. Nuk është sekret nëse thuhet se mërgimtarët shqiptarë kontribojnë dikur rreth 50% të mbushjes së arkës dhe buxhetit të Maqedonisë. Edhe pse mërgimtarët kontribojnë në zhvillimin ekonomik të Maqedonisë, paratë e tyre qarkullojnë nëpër projekte afatshkurtra dhe investimet në projektet afatgjate janë pothuajse zero”, ka deklaruar Ademi.

Vlerësim të ngjashëm ka edhe profesori Abdylmenaf Bexheti i cili ka theksuar se remitencat nga diaspora shkojnë në 1 miliardë euro dhe se ato mbajnë gjallë ekonominë e vendit.

Profesori Bexheti prej disa vitesh me shifra konkrete ka dëshmuar se janë pikërisht emigrantët shqiptarë ata që e shpëtojnë Maqedoninë nga falimentimi, duke sjellë mbi 1 miliard euro për çdo vit.

Sipas ekspertëve, me këto mjete sigurohet një qetësi sociale, pasi që mbulohet një pjesë e madhe e konsumit nga familjet vendore.

Nga ana tjetër, viteve të fundit janë ndaluar gati totalisht investimet nga diaspora për shkak të klimës së papërshtatshme për hapjen e një biznesi të ri në vend dhe krizave dhe problemeve të vazhdueshme politike dhe ndëretnike. (M.P/INA)