Rrahje masive në mes refugjatëve shqiptarë e pakistanezë, 14 të lënduar
Në një qendër strehimi në Calden të Hessenit në Gjermani, pasditen e së dielës përsëri është shkaktuar një rrahje masive, me ç`rast janë lënduar 14 persona, në mesin e tyre edhe disa policë gjermanë.
Në qendrën e strehimit në Calden, të dielën përsëri është shkaktuar një zënkë midis refugjatëve. Ende nuk dihen shkaqet përse ka eskaluar situata në të cilën ishin përfshirë rreth 350 persona. Me këtë rast ka intervenuar edhe policia gjermane, ndërsa janë lënduar 14 persona. Ajo ishte angazhuar me 25 patrulla policore, vetura të ambulancës dhe helikopter.
Sipas informatave jozyrtare, një punëtor i sigurimit kishte rënë në zënkë me disa refugjatë, aty rreth orës 12.00, gjatë shpërndarjes së ushqimit. Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, punëtori i sigurimit e kishte shtyrë një shqiptar, me ç`rast pesë shqiptarë të tjerë i kishin ardhur në ndihmë bashkatdhetarit të tyre, ndërsa nga ana e kundërt ishin tubuar 40 persona të tjerë. Gjatë kësaj janë përdorur shkopinj dhë gjësende të tjera të forta. Policia ka komunikuar se zënka është shkaktuar në restorantin e qendrës.
Policia ka arritur të qetësojë situatën duke i ndarë të dyja palët, kryesisht shqiptarë dhe pakistanezë. Por, më vonë pjesëmarrësit përsëri janë tërbuar duke vazhduar të sulmonin njëri-tjetrin. Vetëm pas disa orëve policia ka arritur të qetësojë pjesërisht situatën duke filluar me hetimet kundër refugjatëve të cilët kanë shkaktuar lëndime në mes të refugjatëve dhe policëve.
Mbrëmjen e vonë të së dielës, më në fund policia ka zhvendosur rreth njëqind persona, në mesin e të cilëve shtetas afganë, sirianë e pakistanezë në një qendër tjetër strehimi. Në këtë mënyrë, ajo ka dashur të pengojë vazhdimin e zënkës mes refugjatëve, ndërsa në vendngjarje kanë qenë të pranishëm edhe udhëheqës të tjerë komunalë.
Por, pak më vonë, refugjatët kanë sulmuar përsëri njëri-tjetrin, kësar radhe është përdorur gaz lotsjellës duke shkaktuar lëndimin e 60 personave.
Sipas informatave të fundit, në qendrën e strehimit në Calden janë vendosur mbi 1.500 refugjatë nga 20 kombe nga e gjithë bota. Pas vendosjes së tyre në këtë qendër, angazhimi i policisë gjermane është bërë përditshmëri në agjendën e saj ditore, ka deklaruar një zëdhënësi i kryesisë qeveritare vendore.
Kryetari i komunës Maik Mackewitz, gjithashtu ka qenë në vendin e ngjarjes duke deklaruar: „Po që se bashkëjetojnë njerëz nga 18 kombe në një vend, atëherë ekziston shkalla e lartë e eskalimit të situatës“, shkruan portali gjerman „hna.de“, transmeton „Shtegu.com“.
Më poshtë mund të ndiqni videon në të cilën shihen dëmet e shkaktuara nga rrahja:
http://www.focus.de/politik/videos/mindestens-14-menschen-verletzt-so-katastrophal-sieht-es-nach-den-krawallen-im-fluechtlingsheim-in-suhl-aus_id_4892492.html