Kujt i kanë humbur 50 mijë franga zvicerane?!

44 Lexime

Kujt po i mungojnë pesëdhjetë mijë franga zvicerane, në banknota të ndryshme? Kjo shumë parashë ishte fshehur në disa kontejnerë të ndryshëm dhe u gjet në brendësi të Lucernit në Zvicër.

 

 
Një gjetës i ndershëm, në rrethinën Zell/Grossdietëil/Schötz ka hasur në një thesar: Ai ka gjetur banknota të ndryshme në një vlerë prej 50.000 frangash zvicerane.

 

 

Gjetësi ua kishte dorëzuar të hollat autoriteteve përkatëse. Në Gazetën zyrtare të Lucernit, në faqen 3686 është duke u kërkuar pronari i të hollave të gjetura. „Pavarësisht hetimeve të gjera, deri më tani nuk është zbuluar pronari“, thuhet në rubrikën „Njoftime“ të Gazetës zyrtare. Kërkimi nuk është duke u bërë vetëm në Zvicër: „Ne kemi filluar hetimet në vend por edhe jashtë vendit, nëse ndokujt i mungon një shumë e tillë të hollash“, ka deklaruar Simon Kopp, zëdhënës i Prokurorisë së Lucernit.

 

 

Të hollat janë gjetur në pranverë. Kushdo që paraqitet si pronar eventual, autoriteteve duhet tu dëshmojë se ai është pronar i ligjshëm. „Prokuroria me qëllim nuk ka dhënë informata më të sakta, pasi mund të pasojnë vërshime kërkesash“, ka pohuar prokurori Michael Bucher për „Neuen LZ“, transmeton „Shtegu.com“.

 

 

Pronari eventual, Prokurorinë duhet ta njoftojë për shumën e saktë, për vendin e saktë të gjetjes, llojin e kontejnerëve dhe detaje të tjerë. „Në këtë mënyrë mund të vërtetojmë nëse personi ka legjitimitet të vërtetë në të hollat“, ka pohuar Kopp. Po që se lajmërohet ndonjë person në Prokurori dhe jep të dhëna të sakta për ate se psh një pjesë e të hollave është në dollarë dhe një pjesë tjetër në euro, mund të përcaktohet nëse ai është pronari i vërtetë i të hollave. Përpos kësaj, ai duhet të tregojë edhe përse i ka fshehur të hollat në këtë mënyrë.

 

 

„Ende mbetet e paqartë prej nga vijnë të hollat. Nuk dihet nëse ato janë nga trafikimi i drogës, apo ndokush ka dashur të mos i dërgojë në bankë kursimet e tij. Por, një gjë ështe qartë: Deri më tani, në Prokurori ende askush nuk është lajmëruar për të kërkuar të hollat“, vazhdon Kopp.

 

 

Pronari i të hollave tashmë ka afat pesë vite për të dhënë informatat e sakta. Po që se nuk gjendet pronari, më vonë do të vendoset se si do të veprohet me të hollat, ka pohuar prokurori Bucher. Me këtë rast: „Gjetësi i ndershëm ka të drejtë në shpërblim të caktuar“.

 

09:53:25      12/02/2015