Kosovari, floktar i Jürgen Kloppit
Fitores së paradokohshme të Borussia Dortmundit ndaj FC Bayernit, iu kishte gëzuar natyrisht edhe Ardian Haziri. Por, kënaqësia e kosovarit 26-vjeçar e kishte arritur kulminacionin kur gjatë tërë mbrëmjes, trajneri Jürgen Klopp nuk kishte bartur kapelë. Po pra, ai është floktari i Kloppit dhe i bashkëshortes së tij Ulla.
Ardian Haziri është një rast klasik i trashëgimisë, pasi rrjedhë nga një familje e floktarëve. Në moshën e tij 17-vjeçare ai ia filloi karrierës së tij si floktar, me 22 vite u bë shef dhe tashmë tre vite ai është duke pnuar në lokalin e vet. Aty, klientë të rregullt janë trajneri Klopp dhe disa futbollistë profesionistë të Borussia Dortmundit. Në një intervistë dhënë portalit gjerman „fussball.de“ ai ka rrëfyer për takimin e parë me Jürgen Klopp. „Kisha dëgjuar shumë për Borussia Dortmund, por nuk e kisha idenë se kush është Klopp. Vetëm disa ditë pasi e bëmë terminin për t`ia shkurtuar flokët, e mësova se për çfarë personi bëhet fjalë. Me të nuk flasim për futboll. pasi edhe mua po të më pyesë çdokush për profesionin tim, do të mërzitesha“. Në pyetjen nëse largimi i Kloppit e ka prekur, Ardiani thotë se përderisa ai me shëndet është mirë dhe me fat, gjithçka është në rregull. Përpos trajnerit, ai gjithashtu i shërben edhe disa futbollistë të Dortmundit, por emrat e tyre nuk dëshiron t`i bëjë publikë. Sipas tij, futbollisti Marcel Schmelzer ka stilin më të mirë të flokëve, por edhe Klopp dhe Milosh Jojiç, i cili është klient i tij. Nga ana tjetër, ai thotë se Marco Reus para dy viteve e kishte stilin më të mirë të rregullimit të flokëve. Përndryshe, Ardian Haziri të cilin shkurt e thërrasin „Adi“, është 26-vjeçar, me prejardhje nga Kosova dhe është floktari i dytë më i ri në qytetin e Innungit në Gjermani. Në vitin 2011 kur diplomoi, ai ishte më i riu e pas tij diplomoi edhe kushëriri i tij që ishte më i ri se Adi. „Unë rrjedhë nga një familje floktarësh, dëshiroja të studiojë arkitekturën, por e kisha shumë vështirë për shkak të njohjes së dobët të gjuhës dhe notave të dobëta në shkollë“, pohon shefi i sallonit të floktarisë „Eleganza bei Adi“ në rrugën „Hohen Straße“ në Dortmund.