Kërkohet marrja e diplomës së „esktremistes“ myslimane shqiptare në Zvicër
Në një projekt të sponsorizuar nga shteti zviceran, janë trajnuar edhe përkujdesëse myslimane për raste urgjente. Një çertifikatë për këtë trajnim e ka pranuar edhe një grua shqiptare nga Këshilli qendror islamik i Zvicrës (KQIZ) dhe kjo ka shkaktuar debate të ashpra.
Fondi i loterisë së Qytetit Cyrih në Zvicër, ka përkrahur me 500.000 franga zvicerane ndërtimin e një enti përkujdesës mysliman për raste urgjente. Të hollat janë derdhur në xhirollogarinë e KQIZ-së, i cili ka etabluar një trajnim çertifikues për myslimanët. Në qershor të këtij viti u zhvillua edhe ceremonia e parë e diplomimit, në praninë e udhëheqëses së Entit profesional për çështje të integrimit.
Kursin e ka përfunduar edhe një anëtare aktive e KQIZ-së të diskutueshëm: Aktivistja për bartjen e shamisë, Albana Azemi. Ajo ishte angazhuar në Kantonin St. Gallen kundër ndalimit të hixhabit dhe vepron në kuadër të Të rinjve islamistë të Lucernit, në rolin e zëdhënëses.
Saïda Keller-Messahli, kryetare e Forumit për një Islam të përparuar është tmerruar nga ky lajm: „Në mesin e të diplomuarve janë edhe femra të dyshimta. Ne nuk guxojmë që ekstremisteve t`ua lëmë në dorë të burgosurit, ata të cilët kanë ditë zie, apo të sëmurëve“. Njerëzit që janë në një gjendje akute emergjente, janë edhe të pambrojtur dhe në gjendje të jashtzakonshme psikologjike, prandaj me ta edhe mund të manipulohet shumë lehtë. „Persona të tillë nuk janë në gjendje që tu kundërvihen përkujdesësve misionarë ekstremistë“.
Veprimi i autoriteteve të Cyrihut në këtë rast ka qenë „shumë naiv“, pasi bëhet fjalë për një fushë tepër të ndjeshme. Bashkëpunimi indirekt i institucineve publike me KQIZ-në salafiste, e cila interpreton rreptë fenë Islame, sipas traditave nga Arabia Saudite, është e pakuptueshme. Prandaj Keller-Messahli kërkon që Albana Azemit t`i merret diploma.
Nga ana tjetër, Albana Azemi për „20 Minuten“ ka deklaruar se ajo kishte marrë pjesë në kurs vetëm si „myslimane e interesuar“, transmeton „Shtegu.com“. Vetëm nga fakti se ajo është duke u angazhuar për të drejtat e myslimaneve që të mund ta bartin hixhabin, ajo është shpallur si ekstremiste.
Fondi i loterisë i Qytetit Cyrih, ka marrë përsipër që të hetojë rastin në mënyrë më të detajuar.