Kërkohen 20 vite burg për vrasësin në xhami

52 Lexime

16:40:51                 2016-04-28

 

 

 

 

Ngjarja kishte ndodhur më 22 gusht të vitit 2014 në xhaminë „El-Hidaje“ në St. Gallen. Pak para se të përfundojë pjesa e dytë e lutjes të së premtes, i dyshuari N. I. kishte nxjerrë armën dhe sipas aktakuzës kishte shtënë me shtatë plumba në M. B. që ka qenë duke u lutur para tij. Viktima ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Bëhet fjalë për viktimën 51-vjeçar me origjinë shqiptare, i cili ka lënë bashkëshorten dhe katër fëmijë.

 

 

 
„Kanuni, e drejta e ruajtjes së zakonit ndër shqiptarët me shekuj të tërë, parasheh që vrasja e një anëtari të një familjes duhet të hakmerret në familjen e vrasësit“, kishte pohuar atëbotë ish imami i kësaj xhamie, Fehim Dragusha. „Por ne duhet ta harrojmë Kanunin, pasi ai krijon vetëm probleme. Dhe, këtë problematikë nuk duhet nga vendlindja ta importojmë në Zvicër“. Pak pas aktit të kryer, dorasi ishte arrestuar pa kurrfarë rezistence. Ai menjëherë e ka pranuar veprën.

 

 

 

 

Sipas hulumtimeve të së përditshmes zvicerane „20 Minuten“, vrasësi dhe viktima janë njohur që nga fëmijëria. Ata jo vetëm që ishin bashkëmoshatarë, por edhe vinin nga rajoni i njëjtë i Serbisë. Paraprakisht, ata ishin zënë edhe më herët, në maj të vitit 1997 në Walenstadt. Viktima B. atëbotë jetonte në Walenstadt, I. in Unterterzen. Mëngjesin e 23 majit 1997, B. kishte ngritur aktpadi në polici, pasi ishte ndjerë i kërcënuar nga I. dhe vëllai tij më i ri, me të cilin një natë më parë ishte zënë. Po të njëjtën mbrëmje, ata ishin takuar sërish para një qoshku, kësaj radhe me pasoja fatale.B. i kishte sulmuar me thikë vëllezërit, ndërsa vëllai 30-vjeçar i I. nuk u kishte mbijetuar plagëve të shkaktuara. B. ishte arrestuar dhe fillimisht dënuar shkruan „20 Minuten“, njofton „Shtegu.com“. Por, më vonë ishte liruar pasi Gjykata ka vlerësuar se bëhej fjalë për „vetëmbrojtje“. Ky akt 20-vjeçar mendohet të jetë shkaku për vrasjen në xhami në vitin 2014.

 

 

 

Me këtë rast, Prokuroria zvicerane ka kërkuar 20 vite burg për dorasin I. Më 26 maj, ai do të duhet të përgjigjet për veprën penale „vrasje“, „shkaktim të shumëfishtë të rrezikut të njerëzve“, si dhe „delikteve të shumtë për armëmbajtje pa leje“, para Gjykatës së rrethit në St. Gallen.