„Çmenden“ gjermanët: Gjermania kërcënon ta dëbojë fëmijën autist shqiptar
18:16:55 2016-04-29
Familja shqiptare Qarri, më tepër se një vit është duke jetuar në Dreieichenhain të Gjermanisë dhe është e integruar mirë. Fëmija i tyre katërvjeçar, Deivisi vuna nga autizmi, ndërsa Gjermania ka për qëllim ta dëbojë.
„Jemi duke shpresuar se humanizmi dhe njerëzimi do të fitojnë ndaj paragrafëve“, ka pohuar Gisela Schäfer nga shoqata për ndihmë të refugjatëve, duke i dhuruar një buzëqeshje familjes Qarri. Familja shqiptare tashmë ka pranuar vendimin për tu larguar nga territori gjerman, pasi që nga viti i kaluar, Shqipëria llogaritet si vend i sigurt i prejardhjes. Komuna gjermane, me Barbara Schindler tashmë ka inicuar një peticion për t`i mundësuar familjes me një fëmijë autist të qëndrojë në Gjermani.
Gëzimi (38) dhe Sonila (34) Qarri janë nga perëndimi i Shqipërisë, nga rrethina e Vlorës. Ata kanë tre fëmijë: Filipin (12), Jolandën (10) dhe Deivisin (4), prej të cilëve më i riu vuan nga autizmi, shkruan „Frankfurter Neue Presse“, njofton „Shtegu.com“. Shkaku kryesor i arratisjes së familjes nga Shqipëria ka qenë fëmija katërvjeçar, pasi në Shqipëri nuk ka mundësi trajtim mjekësor për fëmijë autistë, nuk mund të shkojnë në shkollë dhe mungesa e medikamenteve me të cilat fëmija i tyre qetësohet.
Nga arritja e saj në Dreieichenhain, familja shqiptare është integruar shumë mirë në vend. Nëna dhe babai janë aktivë në obligimet e përditshme, dy fëmijët e mëdhenjë vijojnë shkollimin, flasin mirë gjermanisht dhe në shoqatën sportive të rrethit Dreieichenhain (SVD), janë shumë aktivë. Deivisi është duke vijuar foshnjoren, do të shoqërohet nga një ndihmëse për integrim dhe në ergoterapi është duke përparuar dukshëm. Nga klinika e Frankfurtit, mendojnë se fëmija ka nevojë edhe për trajtim dhe terapi të mëtutjeshme mjekësore.
„Historia e familjes Qarri ka prekur shumë qytetarë në Dreieichenhain. Ata janë duke jetuar në rrethin tonë dhe secili nga ne është duke ndjerë frikën e dëbimit të tyre. Që tani kemi bërë një peticion në qeverinë e Hessenit, të cilën e ka nënshkruar edhe kryetari i Komunës Dieter Zimmer“, ka deklaruar Barbara Schindler. Dëbimi i tyre do të ishte një sinjal i tmerrshëm, pasi ajo është shumë mirë e integruar në Gjermani.
Renate Adler nga shoqata komunale për ndihmë të refugjatëve, është duke u përkujdesur për familjen tashmë një gjysmë viti. Ajo, për çdo javë e viziton familjen, luan dhe mëson me fëmijët dhe ndihmon aty ku mundet. „Familja shqiptare është shndërruar në një pjesë të jetës sime“, pohon ajo. Filipi ka një rekomandim për gjimnaz, ndërsa edhe Jolanda është një nxënëse e shkëlqyeshme.
„Në Shqipëri, fëmijët autistë trajtohen me barëra kundër skizofrenisë. Për këtë, unë e kuptoj brengën se sa kërcënues është kthimi i familjes në Shqipëri. Të gjithë janë në ankth dhe frikësohen se një ditë do të cingërrojë zilja dhe ata do t`i bëjnë gati valixhet për tu kthyer“, vazhdon Adler. Familja Qarri nuk janë refugjatë ekonomikë, ata nuk duan të qëndrojnë në Gjermani pasi është jeta më e mirë. „Ata vetëm duan një ardhmëri më të mirë për fëmijën e tyre“. Babai Gëzim Qarri mundohetz të rrëfejë fatin e familjes, por atij i rrjedhin menjëherë lotët. Banorët e Dreieichenhainit janë mikpritës dhe të gatshëm për të ndihmuar. Ai është duke shpresuar se familja e tij do të mund të qëndrojë atje dhe se së shpejti do të mund të ushqejë familjen me forcat e tij.
Christoph Knittel nga CVD është duke e përkrahuar gjithashtu familjen shqiptare. Jolanda është një basketbolliste e mirë dhe shoqe e ngushtë me vajzën e tij. „E di se si është të kesh një fëmijë me aftësi të kufizuara. Historia e familjes Qarri na ka prekur rëndë mua dhe familjen time, prandaj ne do të bëjmë çmos për ta“, ka deklaruar Knittel duke dhuruar një kursim prej 500 eurosh nga anëtarët e SVD-së, të cilat do t`i mbulojnë shpenzimet për avokatin . Njëqind euro të tjera, familja ka pranuar nga i riu Robin Winkel, i cili të hollat i kishte grumbulluar nga shitja e ëmbëlsirave nëpër rrugë.
Përderisa peticioni është në rrjedhë, dëbimi i familjes është i pamundshëm. „Po që se refuzohet, ekziston mundësia e parashtrimit të rastit në raste të rënda, gjë të cilën do ta bëjmë pa dyshim“, ka përfunduar Barbara Schindler.