Ja edhe disa reagime të sportdashësve shqiptarë
Pas kualifikimit historik të Kombëtares shqiptare për Kampionatin Europian në futboll, që do të mbahet në Francë vitin e ardhshëm, festa e shqiptarëve është duke vazhduar në çdo kënd të botës. Redaksia e „Shtegu.com“ ka bërë përpjekje për të përmbledhur reagimet e disa sportdashësve shqiptarë, të cilët po i fillojmë me reagimin e gazetarit të njohur sportiv Reshat Ibrahimi, njëherit redaktor i sportit në të përditshmen „Lajm“, i cili në profilin e tij në Facebook shkruan:
„Tash edhe me vdek s’më jetë merak!
Faleminderit Kombëtare që realizove ëndrrën tonë për të marrë pjesë në një eveniment madhor siç është Kampionati Evropian i Futbollit, sic është ky në Francë në vitin 2016.“
Një tjetër reagim interesant vjen nga profesori universitar i USHT në Tetovë, Salajdin Salihu, i cili në mënyrë simbolike e ironike ndërlidhe festën shtetërore të Maqedonisë „11 Tetori“ me koincidencën e arritjes së madhe të Kombëtares shqiptare mu në këtë datë:
Sivjet për herë të parë e kam festuar 11 Tetorin…
Një koleg i tij nga i njëjti universitet, profesor Qashif Bakiu, paraprakisht kishte shkruar:
„Fati me serbët, Zoti me shqiptarët. Ne në Paris, serbët ne Surdulicë. Djema kokën lartë, sonte ju urrejnë vetëm dashnoret e selfieve që duartrokitën Ivanoviçin. Ne jemi me ju, jemi me Kombëtaren, jemi me Shqipërinë…“
Një tjetër reagim vjen nga analisiti politik dhe profesor në UEJL, Sefer Tahiri i cili në mes tjerash shkruan:
„Disfatën e harruam, mbase ky gëzim dhe festim kolektiv është një shenjë për këtë. Gëzohem për këtë delirium që po përjetojmë. I falenderohemi Zotit që na mundësoi këtë. Shqiptarët rrallë në histori kanë kremtuar dhe kremtojnë suksese kolektive. Ky është një i tillë. Të mos jetë i fundit!“
Ish bashkëpunëtori dhe lektori i njohur i medieve të shumta në Maqedoni, Sabedin Bushi, ka shkruar:
„Plisat mbërritën në Francë (Paris), shajkaqat bijtë e k.rvës Serbi mbetën në Çaçak.
Një analizë e thuktë vjen nga tifozi i cili nuk lë asnjë ndeshje të Kombëtares pa përcjellur, njohësi i shkëlqyeshëm i rrethanave politike në Maqedoni, Diamant Nagavci, i cili shkruan:
Jemi të vetmit e grupit që i kemi shkaktuar të vetmen humbje Portugalisë. Jemi të vetmit që në dyduelshin me Francën nikoqire kemi marrë 4 pikë (nga 6 të mundshme). Jemi të vetmit që i bëjmë ekipet të shkarkojnë trajnerët e tyre nga detyra pas disfatave ndaj nesh. Jemi të vetmit që kemi nevojë për më shumë bileta se sa ka ulëse nëpër stadiume pa marrë parasysh a jemi nikoqirë apo mysafirë. Jemi të vetmit që ia shndërrojme ngjyrat stadiumeve në kuq e zi. Jemi të vetmit…….. Këto janë fakte që Franca 2016 nuk ishte e rastësishme.