Humbin jetën tre shqiptarë në Kazakistan

152 Lexime

Kompania “Mabetex” ka konfirmuar se tre punëtorë të kësaj kompanie sot kanë humbur jetën në një punishte në Astana të Kazakistanit, kurse tre të tjerë janë lënduar.

“Sot, rreth orës 11:00 në Astana ka ndodhur një tragjedi ku për fat të keq kanë humbur jetën punëtorët: Blerim Kadriu (1981), Bekim Durmishi (1983) dhe Luan Bakia (1976) si dhe janë lënduar Hajrush Hoti (1969), Isuf Bekolli (1956) dhe Avni Maksuti (1979)”, thuhet në kumtesën e “Mabetex“.

“Mabetex”, duke shprehur ngushëllimet familjeve për këtë tragjedi, thotë se janë duke u ndërmarr masat e nevojshme për t’u kthyer kufomat e viktimave në Kosove, kurse tre të ënduarit janë duke u trajtuar në spitalet e Astana, transmeton Telegrafi.

Sipas kumtesës, deri te tragjedia ka ardhur në momentin kur punetoret ishin duke ‘zbërthyer’ skelet e një muri mbi 20 metra.

“Lidhur me shkaqet si ka ndodhur tragjedia ‘MABCO Constructions’ është duke kryer një hetim rrënjësor në bashkepunim me organet e shtetit, për çka familjarët do të informohen detajisht”, thuhet në kumtesë.

“Kjo eshte tragjedia më e madhe që ka ndodhur në historikun e kompanisë tonë, për çka, edhe njëherë ndajmë dhimbjen me familjet dhe dashamirët e viktimave”, thuhet në kumtesën e “Mabetex”. /Telegrafi/