Gazetari i palodhur në mesin e yjeve të futbollit botëror
Skënderbeu zhvilloi aktin e parë të sfidës historike përballë Dinamos së Zagrebit, duel i cili ose e çon në Ligën e Kampioneve ose në Europa League. Sido të jetë, kudo të shkojë ekipi korçar, skuadrat shqiptare nuk e kanë arritur asnjëherë këtë fazë dhe as që të jenë në ndonjë kupë të Evropës, ç’ka e ka bërë të mundur ekipi nga Korça.
Ndeshja e mbrëmshme në „Elbasan Arena“ filloi me shumë vrull, ndërsa goli i Blendi Shkëmbit elektrizoi sportdashësit shqiptarë. Dinamo e Zagrebit sulmoi kaq shpesh, derisa arriti të barazojë rezultatin në minutën e 67-të të takimit me anë të Soudanit.
Pas këtij goli fuqia e lojtarëve të Skënderbeut filloi të bie, duke u përpjekur që me çdo kusht ta ruajnë së paku barazimin. Dhe, barazimi ndoshta do të ishte rezultati më i mirë për të ndarë këtë sfidë. Por, në minutat e fundit të takimit, kur kishin mbetur edhe fare pak që arbitri ti fërshellente bilbilit, Dinamo shënon sërish përmes Pivariç.
Tashmë gjasat për kualifikim në Ligën e Kampioneve janë fare të pakta. Megjithatë, lojtarët e Skëndërbeut janë heronjtë tanë. Ata na çuan për herë të parë në një event sportiv evropian. Edhe pse me humbje, lojtarët e Skëndërbeut meritojnë të përgëzohen.
Ndeshjen e përcolli edhe stafi i redaksisë së gazetës „Lajm“, ndërsa redaktori i sportit i kësaj gazete, Reshat Ibtahimi shfrytëzoi rastin që të bëjë një foto me legjendat e futbollit kroat e shqiptar, Davor Shuker dhe Ardian Kozniku.