EMOCIONUESE: Tifozi më i vjetër i Kombëtares shqiptare ishte plaku 87-vjeçar francez (VIDEO)
18:40:45 2016-06-25
Me 87 vitet e tij, francezi Georges Giamberini është një entuziast me fat i futbollit. Në qytezën Perros të Francës, shtëpia e tij gjendet afër hotelit „L’Agapa“ ku kanë qenë të stacionuar futbollistët shqiptarë. Me qëllim që të njoftojë futbollistët shqiptarë, ai u bë personi më i dashur për Kombëtaren shqiptare.
Fundi i episodit shqiptar në Euro 2016, ishte edhe fundi i shpresave të plakut 87-vjeçar se Shqipëria mund të fitojë titullin e kampionit europian. Që nga gjashtë qershori, Giamberini jetonte shqip, duke përkrahur ekipin e tij të zemrës.
Pas çdo hyrje e dalje të futbollistëve shqiptarë, plaku francez rregullisht dilte nga shtëpia për t`i mbështetur në betejat e tyre. Sidomos ishte gëzuar kur Mërgim Mavraj i kishte dhuruar një fanellë me autogramin e tij. „Është fanella e mbrojtësit Mërgim Mavraj“, sqaron plaku i shashtrisur nga gëzimi për „Le Telegramme“, njofton „Shtegu.com“. „Ai erdhi të diskutojë me mua, ca ditë pas arritjes së tyre. Biseduam pak në gjuhën italiane pasi me origjinë jam nga ky vend, e më pas ai ma dhuroi fanellën e tij si dhuratë. Unë dhe bashkëshortja ime u fotografuam me te“.
Nën kulmin e shtëpisë së tij ishin strehuar edhe dy gazetarë shqiptarë, pasi moti kishte qenë me shi. Pas dy ditëve, ata ishin kthyer dhe kishin bërë foto e xhirime me çiftin francez, të cilët shpresojnë se janë transmetuar në televizionin shqiptar.