Edhe në humbje, Kombëtarja shkruan historinë!

83 Lexime

Opinion: Reshat Ibrahimi

 

 

 

 

00:47:47             2016-06-12

 

 

 

 

Erdhi edhe kjo ditë. Shqipëria debutoi në një kampionat europian, të 15-in me radhë. Debutimi ishte me humbje, por aspak i ithët. Djelmoshat kuqezi bënë një paraqitje dinjitoze, duke dhënë maksimumin në fushën e lojës, pavarësishtë gafës në fillim të ndeshjes nga portieri, Berisha (në vazhdim shkëlqeu), pastaj rasteve të humbura të Sadikut e Gashit, kartonit të kuq të Canës e të tjera.

 
Sikur të kishim qenë më të koncentruar gjatë rasteve të krijuara, sigurisht do të fitonim një pikë.
Sidoqoftë, ndeshja me Zvicrën ka hyrë në histori të kampionateve europiane të futbollit dhe ne duhet të jemi krenarë.
Do të mbahemi në mend, sepse në një ndeshje për herë u paraqitën në fushën e lojës 16 futbollistë shqiptarë.

 

 


Për herë të parë dy vëllezër luajtën njëri kundër tjetrit. Granit dhe Taulant Xhaka kanë luftuar si luanë dhe në fund ndërruan fanellat.
Kjo kombëtare bëri bashkë dhe krenarë të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe veprojnë në botë, të cilët kishin kaluar me mijëra kilometra për të mbërritur në Lens të Francës, duke treguar se sa e kanë në zemër Kombëtaren.

 

 


Me 11 qershor 2016 rrugët dhe stadiumi i këtij qyteti ishte i veshur me ngjyrat kuqezi. Ata sot ishin tifozëria më e mirë e europianit, duke treguar kulturë të lartë sportive.

 

 


Nëse dikush para ndeshjeve eliminiatore do të kishte thënë se Shqipëria do të luaj në kampionat europian, atëherë sigurisht se do të kishim thënë se po flisnim marrëzira. Mirëpo, kjo tani është realitet, dhe kombëtarja po merr pjesë në një garë të madhe europiane, në mesin e kombëtarave të mëdha si Anglia, Spanja, Portugalia, Italia, Gjermania e të tjera. Prandaj, tifozë të dashur kokën lartë dhe gëzohuni me pjesëmarrjen e kuqezinjve në europian, shijoni sa më mirë edhe dy ndeshjet e ardhshme me Francën e Rumaninë. Këta djemë dhe kjo Kombëtare na e ka realizuar ëndrrën shekullore, kurse neve na mbetet vetëm ta përjetojmë cdo moment të saj në Francë.