Derbi shqiptar që kënaqi zemrat e bashkatdhetarëve tanë

41 Lexime

Foto: Afrim Aliu

Në një atmosferë impozante, në praninë e mbi një mijë shikuesve, në stadiumin Bodenweid në Bernë të Zvicrës, të shtunën u zhvillua derbi shqiptar në mes të anëtarit të ri të Ligës së dytë rajonale, FC Prishtina nga Berna dhe FC Besa nga Biel/Bienne. Kishin ardhur shumë shqiptarë për ta madhështuar këtë ndeshje, duke dëshmuar se sporti në shoqërinë shqiptare në Zvicër, ka arritur nivelin e kënaqshëm të disiplinës, sjelljes, edukatës dhe frymës së vërtetë sportive. Vetë ndeshja ishte shumë interesante me raste të shumtë nga të dy anët, ndërsa gjithçka filloi me një penallti në minutën 5`, të cilët mysafirët e FC Besa nuk e realizuan. Ky dështim u dënua nga ekipi kundërshtar, FC Prishtina e cila me golin e Bujar Mehmetit kaloi në avantazh 1:0, në minutën 26`. Ishte një gjysmëpjesë interesante me raste nga të dy palët. Në pjesën e dytë, FC Besa u mundua ta barazojë rezultatin, por vendësit nuk lejuan befasi. Përkundrazi, në minutën 76`., Hisham Emurli e vendosi rezultatin përfundimtar 2:0 në të mirë të FC Prishtina. Pas kësaj fitoreje, FC Prishtina kryeson tabelën e klasifikimit në grupin 2 të Ligës së dytë rajonale të Kanonit të Bernës, me dhjetë pikë, tre më shumë se FC Besa e cila është në vendin e tretë me shtatë pikë. Në lidhje me ndeshjen e së shtunës u pronocua edhe kryetari i klubit të FC Prishtina, Gazmend Tetai, i cili enkas për „Shtegu.com“ deklaroi: „Loja ishte në një nivel të duhur kampional, me raste të shumtë nga të dy palët, ndërsa e përgëzoj edhe publikun sportdashës shqiptarë që na e zbukuroi këtë derbi shqiptar. Duke pasur paraësysh se jemi anëtar i ri i kësaj lige, qëllimi ynë është që ta gjejmë vetveten në këtë ligë, të stabilzohemi dhe të bëhemi një faktor i rëndësishëm për kundërshtarët. Jam shumë i kënaqur me rezultatet e deritanishme dhe shpresoj se sukseset tona nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen“, ka përfunduar Tetai.

 

 

22