23:19:32 2019-08-20
Në moshën 22-vjeçare, Denisa është një vajzë pothuajse si të tjerat. Ajo sapo ka përfunduar një CAP (Certifikatë e aftësisë profesionale) në sferën e mikpritjes dhe hotelierisë dhe po përgatitet për një pro Bac (Diplomë profesionale Bachelor). Vetëm theksi i saj i lehtë që e zbulon origjinën e saj. „Kam ardhur nga Shqipëria 2 vite e gjysmë më parë, me nënën time. Jeta atje na u shndërrua në një mjerim. U mundova të gjej punë në kryeqytet, në Tiranë. Por, edhe sikur të punoja ilegalisht, nuk mund të fitoja më tepër se 200, deri 300 euro në muaj. Nuk mjafton për të përballuar jetesën. Kështu që kur nëna ime u sëmur, ne nuk mund ta trajtonim në vend“, thotë për mediat franceze vajza e re shqiptare, informon Shtegu.com.
Pas një udhëtimi të shkurtër nëpër Itali, Denisa dhe e ëma e saj e kaluan kufirin dhe arritën në Francë. Këtu kanë mundur të trajtohen dhe mjekohen hipertensioni, diabeti dhe kalkulimet e këtij të fundit. „Kjo ishte arsyeja kryesore për ardhjen time këtu. Atëbotë, unë dija shumë pak për këtë vend. Por që atëherë, unë e kam mësuar gjuhën. Vijova mësimet dhe u diplomova. Patjetër që ndërmend e kam të planifikoj jetën time këtu, veçanërisht duke pasur parasysh përpjekjet që kam bërë për të mësuar frengjisht,
për të kuptuar se si funksionon vendi, etj. Për mua thjesht është e paimagjinueshme të jetoj diku tjetër”, thotë shqiptarja e re. Sidoqoftë, për te nuk është zgjidhur ende gjithçka. Për dy vite e gjysmë me radhë, Komuna e Lorraine ende nuk ia ka siguruar ndonjë leje qëndrimi. „Shpresoj se do ta marr brenda një viti; kështu që, me diplomën time në xhep, unë do të mund të punoj legalisht në recepsionin e ndonjë hoteli të bukur. Kjo është ëndrra ime ”, përfundon Denisa.

