Çuditë e zgjedhjeve, të rinjtë votojnë De Biazin dhe Kardashian

63 Lexime

Neritan Gjergo

Ndërkohë që në të gjithë vendin, dje votohej, zgjedhjet për bashkiakë janë ndjekur dhe shoqëruar me batuta e humor, qoftë ne medie, qoftë në rrjetet sociale. Këto të fundit duket se janë bërë sebepi kryesor që dita e votimeve të nxjerrë një tjetër aspekt, atë të humorit. Kështu, me dhjetëra fletë votimi janë fotografuar në njësinë e Tiranës, Shkodrës, Fierit, etj. në dhomat e fshehta të votimit, të shoqëruara me batuta apo figura simbolike.

Edhe pse Kodi Zgjedhor nuk e lejon përdorimin e telefonave celularë nga zgjedhësit, duket se kjo nuk është vënë re nga komisionerët në qendra të ndryshme të votimit, ose të paktën nuk është kapur në kohë nga ata, pasi fotografitë janë shpërndarë dhe komentuar gjerësisht në shtypin online dhe rrjetet sociale. Si një fenomen krejtësisht i ri, i pa ndeshur më parë në këtë formë ekspozimi, reagimet ndaj votës kanë qenë të shumëllojshme dhe po aq të larmishme kanë pasuar edhe komentet pas tyre.

Fotografët e rinj

“Unë votoj për Gianni De Biasin” lexohej në fletën e votimit në një nga KZAZ-të e njësisë së Elbasanit, ndërsa një qytetar tiranas, siç duket tifoz i futbollit italian, i ka bërë thirrje drejtuesit të skuadrës së Milanit me kërkësen “O Galiani bëj ndonjë blerje”, ngjitur me emrin e kandidatit të pavarur Gjergj Bojaxhi. Të shumta kanë qenë fotografitë, ku me bojën blu të stilolapsit janë shkruar sharje e ofendime, të shoqëruara me figura të pahijshme. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur ndonjë votë bëhej publike brenda orëve të procesit të votimit dhe pasohej me reagime të forta nga politika, këtë herë deklaratat e këtij lloji nuk kanë gjetur terren.

Të paktën as në rastin kur janë fotografuar edhe votat e vlefshme, të tilla si ajo e bashkisë së Kolonjës, kur në faqen e “Facebook”-ut të forumit rinor të rrethit u publikua gjatë orëve të pasdites një votë pro kandidatit dhe subjektit. Edhe pse në disa medie u komentua si skandal, për hir të nenit 109 të Kodit Zgjedhor, që e ndalon fotografimin, e disa të tjera e quajtën banalitet, këto vota përveçse kanë transmetuar ndjesi komike, kanë treguar se shumë njerëz e kanë kryer detyrën e tyre qytetare, duke e ndëshkuar klasën politike. Nëse shihet me kujdes mënyra se si janë “zhgarravitur” fletët, ato reflektojnë mesazhe që vijnë kryesisht nga të rinjtë, jo vetëm prej citimeve që ata kanë shkruar, por edhe si posedues të telefonave të markave të fundit, që u lejojnë fotografimin brenda disa sekondave.

Batutat

“Unë votoj për Kim Kardashian, për Sasha Grey apo për Dan Bilzerian (individë që dominojnë rrjetet sociale në gjithë botën dhe që ndiqen masivisht nga të rinjtë), ndërsa unë votoj për azil politik në Gjermani. Unë votoj Ver Llapën. Unë votoj të gjithë kandidatët e Tiranës ndërsa unë vendos një kryq të madh në fletë. Vota e kuqe, e vjetra shembet. Poshtë klasa politike etj, etj”. Ndoshta kjo është maja e ajsbergut, edhe faktin se me qindra vota të tjera të pavlefshme u hodhën të pa fotografuara në kutitë që u hapën pas procesit.

Edhe pse më herët, thirrjet për të bojkotuar zgjedhjet apo për të hedhur në kuti votën e bardhë nga shoqata apo grupime të ndryshme, kanë qenë të pakta ose të papërfillshme, duket se këto zgjedhje sollën një etapë të re. Por, përpos batutave të shkruara në fletët e votimit, mëngjesin e djeshëm qytetarët e Kurbinit kanë parë poshtë dyerve të shtëpive, fletushka, në të cilat bëhej thirrje për mospjesëmarrje në zgjedhje, ndërsa në një tjetër njësi vendore ka qenë një çift i ri, të cilët në ditën e dasmës së tyre kanë kryer detyrën e tyre si qytetarë duke marrë pjesë në votim. Për fat të keq, nusja e re, e cila hyri me thonjtë e lyer me të kuq, doli me njërin gisht të zi.

Skandal

Shkon të votojë, por dikush i kishte vjedhur emrin

Një qytetare e Shkodrës është befasuar dje, teksa dëgjoi nga komisionerët e qendrës vendore nr. 259/1, pranë teatrit Migjeni se rezultonte si votuese, madje vetë ajo e kishte firmosur përkrah emrit të saj.  Ky rast demonstron edhe një herë se kartat e identitetit të falsifikuara janë përdorur edhe gjatë ditës së djeshme. Personi ende i paidentifikuar rezultonte se kishte votuar me të dhënat e pasaportës së Ingrid Paçramit. Vajza u paraqit në qendrën e votimit në Shkodër, por komisionarët i treguan se ajo kishte votuar. Ajo deklaroi se nuk kishte votuar, madje duke treguar edhe gishtin e saj, në të cilën nuk kishte shenja të bojës.

Shtypi i huaj: Zgjedhjet test i rëndësishëm për BE

Zgjedhjet lokale, që zhvillohen në vendin tonë, kanë gjetur pasqyrim edhe në mediet ndërkombëtare. Titulli kryesor që “Associated Press” ka përdorur për të pasqyruar zgjedhjet ishte “Shqipëria sot mban zgjedhjet lokale, një çelës kryesor për të filluar bisedimet për integrim në BE”. Ndërsa në brendësi përmendet edhe shifra e votuesve, si dhe vihet theksi tek gara e Tiranës, të cilën “Associated Press”, e cilëson si më të rëndësishme.

Gjithashtu edhe mediet e tjera ndërkombëtare kanë raportuar rreth zhvillimit të zgjedhjeve lokale në Shqipëri. Agjencia italiane e lajmeve, Ansa, shkruan se kjo është hera e parë që shqiptarët votojnë pas aprovimit të reformës territoriale, e cila ka reduktuar komunat nga 373 në 61, si dhe thekson se zgjedhjet janë një test shumë i rëndësishëm për integrimin në BE.

Ndërkohë, edhe media amerikane Fox Neës, i ka dhënë pasqyrim ngjarjes, ku raporton se rreth 3.4 milionë shqiptarë do të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj. Fox News nënvizon se beteja më e rëndësishme është ajo e Tiranës mes Halim Kosovës dhe Erion Veliajt. Ndërkaq, në një raportim më të gjerë, që bëjnë mediet ndërkombëtare për procesin dhe ecurinë e tij theksohet se rreth 3 mijë vëzhgues shqiptarë dhe të huaj kanë ndjekur të gjithë procesin dhe OSBE/ODIHR-i ka dërguar rreth 274 votuesve të huaj.

“Orët e para të votimit kanë qenë të qeta, por problemet nuk kanë munguar. Në disa zona, votimi ka qenë i penguar për shkak të mungesës së materialeve të votimit, por edhe për shkak të mosmarrëveshjeve midis komisionerëve të forcave të ndryshme politike. Incidentet e vogla janë raportuar çdo herë dhe njëkohësisht nga palët, por ata janë cilësuar si të  parëndësishme për ndikimin në të gjithë procesin zgjedhor dhe rezultatin”.

Duke transmetuar fjalët e kryetarëve të partive më të mëdha si dhe të presidentit të vendit,  ndërkombëtarët nuk kanë lënë pa përçuar as fjalën e amdasadës amerikane. Përpara zgjedhjeve të 21 qershor Ambasada e SHBA në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët e saj, të cilët janë në Shqipëri, që të jenë të kujdesshëm gjatë këtyre ditëve. Në një mesazh elektronik dërguar qytetarëve, ambasada i paralajmëron ata për protesta apo incidente të mundshme. “Qytetarët amerikanë duhet të jenë të vetëdijshëm për mundësinë që turmat mund të mblidhen para qendrave të votimit dhe qendrat e numërimit dhe se demonstrata spontane mund të zhvillohet gjatë votimit dhe gjatë ditëve që do të vijnë, pasi votat të  numërohen dhe rezultati të shpallet” raportojnë ndërkombëtarët. /Shekulli/