Çfarë lidhje ka Beogradi me ekstradimin e Oriçit në Serbi ?!

59 Lexime

Serbia i ka bërë kërkesë zyrtare Zvicrës për ekstradimin në Serbi të shtetasit boshnjak, Naser Oriç. Interpoli i Serbisë kishte bërë një fletarrest për Naser Oriçin, në muajin shkurt të vitit të kaluar, pasi Prokuroria serbe e ngarkon për krime lufte mbi serbët në lokacionin Podrinje gjatë vitit 1992.

Oriç ishte arrestuar në fillim të qershorit në Gjenevë, në bazë të një fletarresti të Serbisë. Që nga çasti i arrestimit, Oriç ka bërë të ditur se me asnjë kusht nuk do të pranojë të ekstradohet në Serbi i gjallë dhe se do të rezistojë kundër një vendimi të tillë eventual.

Nga ana tjetër, drejtësia boshnjake nuk dëshiron që Oriç të ekstradohet në Serbi, shkruan e përditshmja zvicerane „Le Matin“, pasi një veprim i tillë do të vinte në rrezik procedurën në rrjedhë në Bosnje.
Zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë zvicerane, Folco Galli, ka deklaruar se për momentin nuk ka ndonjë kërkesë nga ana e Bosnjes për ekstradimin e Naser Oriçit në këtë shtet.
Naser Oriçi në vendin e tij llogaritet si hero kombëtar. Vendimi i Beogradit për ta ekstraduar atë në Serbi, rrezikon marrëdhëniet në mes dy vendeve, tre javë para përvjetorit të 20-të të masakrës së Srebrenicës, që parashihet të mbahet më 11 korrik.