Çiftelia futet në orët e lëndës muzikore në Zvicër
20:35:06 2016-05-11
Në shkollën muzikore „Alten Rhein“ në Rheineck të Zvicrës, për vitin e ardhshëm do të jepet mësim për instrumentin popullor shqiptar, çiftelinë. Heltin Guraziu e ka studiuar instrumentin në Universitetin e Tiranës, në Shqipëri.
„Duhet të shtojmë sa më shumë interesin e fëmijëve nëpër shkollat muzikore“, ka deklaruar Heltin Guraziu për „St. Galler Tagblatt“, njofton „Shtegu.com“. Në Rheineck dhe rrethinë, ata janë të përfaqësuar shumë, ndërsa grupi i qëllimit është i madh. Për këtë, është paraparë që nga fillimi i vitit të ri shkollor, të ofrohet mësim për instrumentin e çiftelisë në shkollën muzikore „Alten Rhein“ në Rheineck. Heltin Guraziu, me vendbanim aktual në Rebstein të Rheintalit, e ka studiar çiftelinë në Universitetin e Tiranës.
Në Zvicër, ai ka ardhur para gjashtë viteve, për shkaqe familjare. Që atëherë, ai ka krijuar një rrjet të gjerë muzikor. Heltini luan në kontrabas, nëpër orkestra të ndryshëm klasikë, është anëtar i dy grupeve xhaz dhe ligjëron në disa shkolla muzikore për kontrabasin, por edhe çiftelinë. Në shkollën muzikore në ëil, ai tashmë është duke ligjëruar për çiftelinë, ku mësimin janë duke vijuar edhe dy nxënës zviceranë, të cilët dëshirojnë ta studiojnë çiftelinë. Natyrisht se edhe femrat mund të kyçen në këtë ligjëratë.
„Tradicionalisht, çiftelia ka kaluar nga brezi në brez në familje“, pohon Heltini. Me gjenerata të tëra është trashëguar aftësia për të luajtur në çifteli. Posaçërisht tek familjet, të cilat nuk jetojnë më në vendlindjet e tyre, ndërsa ideja është që të rikthehet tradita e interpretimit në instrumentin shqiptar. Çiftelia mund të luhet si përcjellje, apo edhe mund të shërbejë si instrument melodik. Me këtë rast, Heltini i fton të gjithë të interesuarit që të regjistrohen për mësim të çiftelisë, ndërsa oferta vlen edhe për të rriturit.