Çavkovi dhe Lagja e Trimave

78 Lexime

NASER PAJAZITI

Ministri i Brendshëm Mitko Çavkov  për së dyti herë erdhi në Lagjen e Trimave në Kumanovë.

Kësaj radhe erdhi dhe mbajti një ligjëratë para protagonistëve të bashkësisë lokale, ca këshilltarëve komunal dhe do figurave tjera partiake shqiptare provinciale për krijimin e mirëbesimit, terrorizmit, por duke bindur se do të ketë një hetim transparent për rastin e Kumanovës dhe foli kundër një hetimi ndërkombëtar.

Sidoqoftë Çavkovi si zyrtari kryesor i sigurisë duke vlerësuar ndjeshmërinë e situatës në Kumanovë sidomos pas 9 dhe 10 majit, ka shpeshtuar vizitat  dhe kjo është punë e tij.

Por shtrohet pyetja pse nuk vjen zëvendësi i tij Zemri Qamili në cilësinë e zëvndësministrit të Punëve të Brendshme.

Ky sehir dhe kjo mënyrë e ikjes nga përgjegjësia po kundërmon dhe po iriton gjithë këtë popull të Kumanovës.

Qamili dhe partia e tij që e ka deleguar në ate post, duhet të dalin dhe të sqarojnë se përse po luajnë lojën e djallit, ikjen nga përgjegjësia që nënkupton sakrifikimin e kumanovarëve.

Në rast se më 9 dhe 10 maj, Zemri Qamili, Musa Xhaferri e disa protagonistë kyç të “UÇK”-istëve të shëndërruar në “integristë”, s’kanë mundur të vijnë në Kumanovë, për arsyet akoma të panjohura, ndoshta dje ata mund të vinin në Kumanovë, po të ishin nisur edhe me “Kalin e Shemos”, thënia e tyre me sarkazëm.

Pse Kumanova dhe kumanovarët po sakrifikohen dhe po lihen në mëshirën e askujt. Kjo sjellje dhe mospërgjegjësi po shton frikën edhe për shqetësime të tjera.

Kumanovarët a duhet kërkuar llogari dhe përgjegjësi nga ata që me votën e tyre kanë fituar besimin dhe janë deleguar në poste udhëheqëse të sigurisë.

Ministri i brendshëm Çavkov kur po do po vjen e shkon. Vajtje – ardhjet e tij janë vetëm pjesë e debateve të kafeneve dhe ndejave të pas iftareve. Dhe pakënaqësitë, dilemat dhe pyetjet me pse-të e ndryshme mbyllen me kaq.

Përse nuk ngritet zëri i protestës për të kërkuar të vërtetën se çka ndodhi më 9 dhe 10 maj në Kumanovë apo të protestohet me kërkesën për hetim ndërkombëtarë.

Ndoshta do të mjaftonte që para Çavkovit, dy tre fëmijë dhe disa pleqë e gra me pankarta të shprehnin të drejtën e tyre të shenjtë demokratike të protestës.  Protestë, që është një e drejtë e garantuar, pavarësisht se a bëhet fjalë për ministër të brendshëm apo edhe kryeministrin Nikola Gruevski.

Të kërkohet e drejta për hetim se çfarë ndodhi më 9 maj, të ndërmerren masa për traumat dhe pasojat e kësaj ngjarje të tmerrshme, të kërkohet llogari për shqetësime tjera, apo të lexoheshin edhe letrat reaguese nga shumë nëna e gra të gjithë të atyre që u prekën dhe pësuan në ngjarjet e 9 majit.
Kjo do të mjaftonte dhe është e drejtë e secilit të shprehë ate, pa ndikime partiake, lojra të djallëzuara që mund të merrnin prapavija tendencioze  apo skenare tjera.

Pyetjet pa përgjigje mbeten tek misteri i shtëpive të rrënuara që do mbeten hije e rëndë për këtë lagje, e cila nga mëngjesi i 9 majit është krejtësisht ndryshe dhe që asnjëherë ndoshta nuk do ta marrë vesh se çfarë kishte ndodhur.

Dhe në fund sa për të rikujtuar se Mitko Çavkov sot është ministër i brendshëm i zgjedhur në këtë detyrë si pasardhës i Jankullovskës. Ai nuk është një figurë e panjohur. Para se të bëhet ministër ishte kryepolici apo drejtori i  Drejtorisë së Sigurisë, dhe njeri nga bashkëpunëtorët e ish-ministres së brendshme  Jankullovska dhe ish-shefit të Shërbimit sekret, Sasho Mijallkov.

Çavkov po bën detyrën e tij si një ministër i brendshëm, derisa nuk përjashtohet që  29 qershori dhe marrëveshja e katër liderëve për qeveri kalimtare do ta nxjerrin ate nga loja si ministër me mandatin më të shkurtër në krye të MPB-së së Maqedonisë. /Ina Online/