Boksieri maqedonas e dërmon pronarin e kafiterisë

53 Lexime

Një zënkë mes vozitësve, në mars të vitit të kaluar kishte përfunduar me gjak. Autori i sulmit, të enjten është dënuar nga Gjykata policore e Gjenevës.

 

 

Gjashtë fraktura në fytyrë, pesë pllaka për të rikonstruktuar një fytyrë simetrike, 37 shenja në kafkë. Viktima e kishte paguar shumë shtrenjtë zemërimin që e kishte shfaqur ndaj një shtetasi maqedonas 25-vjeçar. Ky i fundit, boksier me përvojë, të enjten është gjykuar nga Gjykata policore e Gjenevës, për rrahjen brutale të një pronari 30-vjeçar të një kafiterije.

 

 

Ngjarja kishte ndodhur për një gjest banal në rrugë, më 27 mars 2014, rreth orës 01.00 pas mesnatës. Duke u kthyer nga puna, viktima ia kishte zënë rrugën shtetasit maqedonas, i cili nga prapa rregullisht i kishte dhënë shenjë me drita për t`ia liruar rrugën. Viktima i ishte përgjigjur me një ngritje të gishtit në shenjë ofendimi, shkruan „20 Minutes“, njofton „Shtegu.com“. Por, kjo iu kthye në mënyrën më të vrazhdë. Në një semafor të qytetit, gjatë dritës së kuqe, boksieri kishte dalur nga vetura dhe e kishte filluar rrahjen. „Ai më provokoi. Mendova se dëshiron të rrihet me mua dhe e humba kontrollin“, ka deklaruar me rezervë i akuzuari.

 

 

Lëndimet e viktimës kanë qenë shumë të rënda. „Sipas mjekut, edhe dy apo tri goditje dhe unë do të kisha vdekur“, ka pohuar para Gjykatës tridhjetëvjeçari. Procesi i operimit të tij kishte zgjatur pesë orë të tëra, me ç` rast edhe shpina iu kishte ftohur. Për t`ia rregulluar fytyrën, mjekët është dashur t`ia hapin një vrimë nga njëri vesh te tjetri, duke ia ngjitur një copë lëkurë në fytyrë.

 

 

I akuzuari ka pohuar para Gjykatës se ai ka ndryshuar: „Asnjëherë më nuk pi gjatë vozitjes dhe kur ndokush më ofendon, unë e uli kokën“. Por, ky arsyetim nuk e ka bindur gjykatësin. Për shkaktim të lëndimeve të rënda trupore, ai u dënua me nëntë muaj burgim me kusht dhe me 15 mijë franga zvicerane, shumë kjo të cilën do të duhet t`ia paguajë pronarit të kafaterisë si kompensim për lëndimet e shkaktuara.