Bashkatdhetarë kujdes në Maqedoni
Ditëve të fundit bashkatdhetarët tanë po vijnë në vendlindje dhe që java e ardhshme do të tubojë gati të gjithë ata që kanë planifikuar pushimet në Maqedoni.
Por shumica e pre tyre nuk janë të njohur me disa rregulla ligjore në pikat kufitare, lëvizjen e tyre në komunikacion dhe rregulla të tjera, që në rast të mosrespektimit mund të pësosh.
Shuma e parave është një çështje kryesore dhe sipas ligjit çdo rezident ka të drejtë të sjellë në Maqedoni vlerën deri 10.000 euro, pa pasur nevojë t`i paraqesë në doganë.
Çdo vlerë që tejkalon shumën prej 10.000 eurove duhet të paraqitet në organet doganore. Në të kundërtën, nëse autoritetet doganore dyshojnë dhe vendosin kontrollin, atëherë sasia e parave të gjetura që janë mbi 10 mijë euro do të konfiskohen dhe çështja kalon nëpër gjykata, ku shumica e mërgimtarëve kanë humbur përballë shtetit dhe nuk kanë arritur t’i kthejnë paratë e tyre.
Vitin e kaluar janë regjistruar disa raste kur bashkatdhetarët duke mos i interesuar për ligjin dhe sasinë e limituar të sjelljes së parave në “cash”, ka bërë që ato t`i konfiskohen nga doganierët, pas kontrolleve rutinore. M. S që jeton në Zvicër ka deklaruar kohë më parë për INA se doganierët në Aeroportin e Shkupit i kanë konfiskuar 20 mijë franga, për shkak se ai kishte poseduar me vete mbi 30 mijë franga zvicerane dhe nuk i kishte lajmëruar ato.
“Më pyetën se a kam para dhe i thash se po dhe pas kontrollit, mi gjetën 30 mijë frangat dhe prej tyre mi morën 20 mijë, gjoja se kam shkelur ligjin. Ende jam nëpër gjyqe, por kot nuk po ka sukses”, theksoi bashkëatdhetari jonë nga Kumanova.
Një kujdes tjetër duhet të jetë sjellja në komunikacion. Shumica e bashkatdhetarëve nuk e dijnë se janë rritur gjobat apo dënimet në komunikacion, duke shkuar deri në 500 euro për tejkalim shpejtësie në disa vende urbane apo të populluara. Pastaj edhe dënimet e tjera për shkelje të tjera.
Ja gjobat në komunikacion
Nëse nuk keni rrypin e sigurisë – 100 euro (6.000 den) gjobë;
Nëse nuk keni ndezur dritat – 100 euro (6.000 den) gjobë;
Parkim i gabuar i makinës – 45 euro gjobë;
Në rast të parkimit në vijat e kalimit të këmbësorëve apo udhëkryq – 250 euro gjobë;
Mosdhënia e përparësisë për kalimtarët në kalimet e udhëtarëve – 250 euro gjobë;
Tejkalimi i shpejtësisë në vendbanime të banuara nëse shkon mbi 50 km/h më shumë se shpejtësia e lejuar apo e caktuar në shenjën e komunikacionit– 500 euro gjobë ose 65 pikë negative si dhe aplikimi i masës së ndalesës për drejtimin e makinës prej 6 deri 12 muaj.
Nëse drejtoni makinën mbi 10 km/h mbi shpejtësinë e lejuar – 20 euro gjobë
Tejkalimi prej 10 deri 30 km/h nga shpejtësia e lejuar – 45 euro
Ndërsa tejkalimi i shpejtësisë prej 30 deri 50 km/h nga shpejtësia e lejuar në vendbanimet e banuara – 300 euro gjobë dhe ndalesë për të drejtuar makinën prej 3 – 12 muaj.
Prania e fëmijëve në karrigen e përparme të makinës në moshën më to vogël se 12 vjet – 45 euro gjobë;
Për pagesën e gjobave do të aplikohet sistemi i precizuar me afate dhe procedura të rregulluara, përmes tërheqjes së parave nga llogaritë bankare të qytetarëve apo edhe forma të tjera.
Por nga ana tjetër mërgimtarët kanë mundësi të marrin edhe informacione online për gjendjen në pikat kufitare dhe pikat e pagesës së rrugëve në autostradat e vendit.
Mjafton të kenë laptop dhe celularë dhe përmes linkut http://www.roads.org.mk/315/video-kameri do të mund të ndjekin gjendjen në vendkalimet kufitare dhe në rrugët e Maqedonisë përmes video-kamerave”.
Sapo te hyni ne territorin e vendit ne rast se kein pasaporte te huaj duhet te paraqiteni ne stacionin me te afert policor per tu pajisur me dokumentin e vendqendrimit te perkohshem.
Gjithashtu një mundësi tjetër është informimi për tregjet e ndryshme, dyqanet me oferta të ndryshme, kursin e këmbimit dhe info të tjera që tashmë janë në dispozicion edhe në formën online. (INA)