Babai ia vret t`ëmën, gjermanët dëbojnë djaloshin shqiptar me histori rrëqethëse
22:43:40 2016-12-03
Dëbimi i një të mituri shqiptar nga Gjermania, ka shkaktuar reagime të shumtë tek qytetarët gjermanë të Schwandorfit. Këshilli i refugjatëve për Bavarinë, ka akuzuar autoritetet gjermane se djaloshin e ri shqiptar 16-vjeçar e ka dëbuar në mënyrë jashtligjore.
Të mërkurën e kaluar, rreth orës 06.00 të mëngjesit, policia gjermane e ka zgjuar nga gjumi gjashtëmbëdhjetëvjeçarin shqiptar, duke e dërguar në aeroport. Në aeroportin e Tiranës, ai nuk është pritur nga askush dhe ka qenë në gjendje të mjerë, thuhet në një kumtesë të Këshillit të refugjatëve për Bavarinë, të cilën e përcjellë „Shtegu.com“. Aksionin e policisë gjermane, anëtari i këtij këshilli e quan si aksion të natës e të pakuptimtë, por ate më tepër e ka shokuar fakti që djaloshi thjesht, është braktisur në mëshirë të fatit të vet.
Një zëdhënës i qeverisë lokale i ka mohuar akuzat e tilla, pas intervenimit të Televizionit gjerman „Bayerische Rundfunk“. Sipas tij, autoritete kanë reaguar në mënyrë korrekte, pasi ata vetëm e kanë zbatuar urdhërin për dëbim të shqiptarit, i cili paraprakisht kishte refuzuar të largohej vullnetarisht nga Gjermania. Ai më tej ka theksuar se pas dëbimit të të riut shqiptar, fëmija është dashur të pritet në aeroport nga babai i vet. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Ambasada gjermane në Tiranë, e cila ka pohuar se fëmija asaj dite ka fjetur tek babai i vet.
Në Shqipëri, atje ku i riu ishte rritur deri në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, ai ka përjetuar një dramë të vërtetë, pasi ka qenë dëshmitar i vrasjes së t`ëmës nga babai i vet. Pas kësaj, vëllai i nënës e kishte vrarë xhaxhain e babait. Në këtë mënyrë, djaloshi jo vetëm që kishte mbetur jetim, por edhe ishte involvuar padashje në një konflikt ndërfamiljar. Mu për këte, ai ishte arratisur në Gjermani.
Por, Enti federal gjermani migrimit (BAMF) nuk e ka marrë parasysh rrezikun e jetës së djaloshit nga gjakmarrja e mundshme. Kërkesa për azil e djaloshit, u refuzua nga BAMF nga fillimi i korrikut, por edhe nga Gjykata administrative e Regensburgut, disa ditë më vonë. Tashmë, djaloshi gjashtëmbëdhjetëvjeçar shqiptar, në Gjermani nuk ka të drejtë të hyjë për dy vite të tëra.