Austria dënon grupin e trafikantëve nga Ballkani
07:18:22 2016-04-30
Gjatë të premtes, në Eisenstadt të Austrisë janë gjykuar nëntë anëtarë të një bande trafikantësh. Tetë burrat dhe një grua të moshës 26-, deri 54-vjeçare akuzoheshin se kanë trafikuar ilegalisht kosovarë, nga Serbia, përmes Hungarisë, për në Austri dhe në vendet tjera të BE-së. Senati gjyqësor i ka shpallur fajtorë të akuzuarit, duke iu shqiptuar dënim me burg prej një viti e gjysmë e deri në gjashtë vite.
I akuzuari kryesor, një shtetas i dyfishtë boshnjako-kosovar, kishte marrë pjesë në 52 udhëtime, me ç`rast kishte trafikuar 173 persona. Akuza tjetër e rëndote si trajnues i anëtarëve të tjerë të bandës, për trafikim dhe vozitës.
Të akuzuarit tjerë të procesit, i cili zgjati dy ditë, është dashur gjithashtu të përgjigjen për trafikim të qenjeve njerëzore, në raste të shumtë. Tre nga ta janë përballur edhe me akuzën për „plaçkitje“, ndërsa një shtetas 26-vjeçar maqedonas ishte përgjigjur edhe për shkak të veprës penale „shkaktim i lëndimeve të rënda trupore“, pasi e kishte goditur me grusht një polic austriak, shkruan „Kronen Zeitung“, njofton „Shtegu.com“.
Katër nga të akuzuarit, tashmë kanë qenë në paraburgim. Dy persona të tjerë, një kosovar dhe një shtetas austriak nuk janë paraqitur në procesin gjyqësor. Dënimet ndaj tetë personave të akuzuar janë të plotfuqishëm, ndërsa një grua 54-vjeçare nga Serbia ka parashtruar ankesë ndaj vendimit.