all

Arrestohen pesë punëtorë ilegalë në Gjermani

88 Lexime<

Gjatë një inspektimi në një kantier ndërtimi në rrethin e Nienburgut në Gjermani, doganierët e zyrës së kontrollit financiar të Osnabrückut për punë të padeklaruar, së bashku me zyrën e inspektimit të tregtisë në Hanover, autoritetin e imigracionit në Nienburg dhe zyrën e rendit publik të Nienburgut, më 22 janar 2024 gjetën pesë punëtorë të punësuar ilegalisht.

Gjatë kontrollit, hetuesit kanë kërkuar të kontrollojnë nëse të gjithë punonjësit ishin regjistruar në mënyrë të rregullt për sigurimet shoqërore, nëse ishte paguar paga minimale dhe nëse punonjësit e huaj mund të paraqisnin lejet përkatëse të qëndrimit apo punës.

Oficerët u ndeshën me dy shtetas boshnjakë si dhe një kosovar, një serb dhe një maqedonas, transmeton portali Shtegu. Gjatë kontrollit të mëpasshëm të identitetit, hetuesit zbuluan se burrat nuk kishin një leje qëndrimi që do t’i lejonte ata të punonin në Gjermani.

Duke u marrë në punë në mënyrë të paligjshme, personat humbën të drejtën e qëndrimit prej tre muajsh. Ndaj tyre ka nisur procedimi penal me dyshimin për qëndrim të paligjshëm.

Pesë burrat marrin një njoftim nga zyra përgjegjëse e imigracionit me kërkesën që të largohen nga Gjermania brenda një date të caktuar.

Hetimet janë duke vijuar nga kontrolli financiar për punësimin e paligjshëm.